Reagimi i BE për BalkanWeb: Jemi të shqetësuar për lirinë e medias, ndryshimet në Kodin Penal mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve

Në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një sërë dispozitash specifike të Kodit Penal për t’i përafruar me standardet evropiane dhe acquis të BE-së.

Në një reagim për dhe News24, Bashkimi Evropian thotë se ka inkurajuar Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshimeve ligjore të lidhura me Kodin Penal që janë të nevojshme për të përmbushur kriteret ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grupkapitullin 1(si dekriminalizimi i shpifjes dhe përafrimi me kuadrin ligjor të BE-së për trafikimin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, abuzimin ndaj fëmijëve, armët e zjarrit, pastrimin e parave).

“Aktualisht, Bashkimi Evropian po konsultohet për këto ndryshime prioritare, të cilat lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e anëtarësimit në kuadër të negociatave.

Nga ana tjetër, ne jemi ende duke shqyrtuar dhe analizuar dispozitat e tjera që lidhen me një rishikim më të gjerë të Kodit Penal, i cili është publikuar së fundmi dhe është në proces konsultimi publik.

Ky rishikim më i gjerë i Kodit Penal është një ndërmarrje komplekse, me ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë penale.

BE-ja thekson rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si edhe me shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e tjerë përkatës, me qëllim që legjislacioni që do të rezultojë të jetë i cilësisë më të lartë.

Ne jemi në dijeni të shqetësimeve serioze të shprehura nga përfaqësues të sektorit të drejtësisë, si edhe nga shoqëria civile, në lidhje me një sërë projekt-ndryshimesh.

Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për disa amendamente të propozuara nga grupi i punës që mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Këto dispozita nuk janë të përafruara me standardet e BE-së dhe ne jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësimin, këto shqetësime do të adresohen”, thuhet në reagimin e BE-së për BW dhe News24.

 

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×