Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, një objektiv ambicioz por i arritshëm me përkushtim dhe seriozitet, sipas Gledis Gjipalit nga Lëvizja Europiane në Shqipëri.
Ai, në një intervistë në News24 thekson se, megjithatë, disa vende si Franca, Gjermania dhe Austria janë skeptike ndaj zgjerimit të BE-së. Procesi i hapjes së kapitujve po ecën përpara, por kërkon shumë punë dhe bashkëpunim politik.
Mali i Zi pritet të anëtarësohet i pari nga vendet e rajonit, ndërsa Shqipëria mund të jetë pas tij. Gjipali paralajmëron se tensionet politike në vend mund të pengojnë procesin dhe se nuk është e sigurt atmosfera politike në BE në vitin 2030.
Gledis Gjipali, Lëvizja Europiane në Shqipëri: Është një premtim ambicioz i qeverisë shqiptare, për transformimin që duhet të bëhet në vend, për të arritur standardet europiane. Angazhimi është ambicioz dhe i arritshëm, nëse ka seriozitet në këtë qëllim. Duhet parë sesa i gatshëm është Brukseli që të na pranojë. Ka disa vende që janë më skeptike. Vende si Franca, Gjermania, Austria kanë një mazhorancë në popullsi kundër zgjerimit, që reflektohet në rritjen e së djathtës në këto shtete, që kanë agjendë antizgjerim.
Jemi duke rikuperuar një kohë të humbur më parë në hapjen e kapitujve, edhe për shkak të bllokimeve që kemi pasur. Komisioni Europian është i interesuar në zgjerimin e BE-së. Grup-kapitujt hapen një nga një, jo menjëherë. Është bërë një punë e madhe për hapjen e grup-kapitujve, nuk mund ta mohojmë. Ka një punë të madhe përpara. Nga vendet e rajonit, Mali i Zi është i pari që mund të anëtarësohet në BE. Serbia ndoshta ka standarde, por ka orientim ndryshe, ndaj Shqipëria mund të anëtarësohet pas Malit të Zi në Bashkimin Europian. Duhet angazhim i madh për të mbyllur negociatat më 2027. Sherret politike nuk i shërbejnë për mirë integrimit europian. Nuk mund të dimë edhe atmosferën që do të jetë në BE më 2030.
© BalkanWeb