Nxënësi kundër mësuesit, Arteta kundër Guardiolës, dy mjeshtër spanjoll që u përplasën sërish ndërmjet tyre, me Arsenal dhe Man.City që ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1, një “X” që i shërben pak dy ekipeve në garën e tyre për titull në Premier League. Sigurisht një pikë në fushën e “topçinjve” nuk është për t’u hedhur poshtë, por mënyra se si Man.City-t i iku nga duart kjo fitore, me një gol në limite, nuk i lë një shije të mirë Pep Guardiola-s.
I përhershmi Erling Haaland zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 9-të, me norvegjezin që mori një asist të pastër nga Reijnders duke tundur rrjetën. Me Arsenal të hedhur përpara në kërkim të golit, Reijnders, Duku dhe Haaland krijuan disa raste të pastra për gol, por pa sukses. Në fund, në minutën e 93-të, Martineli u shkëput shpejt dhe me një parabël të ëmbël kaloi Donnarumma-n duke bërë që stadiumi të shpërthente në festë. Në fund, dy ekipet u ndanë në paqe me një barazim 1-1, një “X” për të cilin feston Liverpool, me të kuqtë që e shohin veten në krye plus 5 pikë pas 5 javësh në Premier League.
Nuk e fshehu zhgënjimin për këto 2 pikë të lëna Pep Guardiola: “Jemi të zhgënjyer, por një vit më parë ishim ne që barazuam me një gol në fund, kështu e ka futbolli. Luajtëm për 97-98 minuta me shumë intensitet. Kjo ishte një javë e vështirë, por sot kishim përballë një rival me shumë cilësi, mendoj se rezultati ishte i drejtë”, u shpreh Guardiola.
Ashtu si Guardiola, edhe Arteta nuk ishte i kënaqur me atë që mori nga ky takim: “Të paktën një pikë e meritonim. Jam shumë krenar për djemtë, për mënyrën se si e dominuam ndeshjen në çdo aspekt. Është zhgënjyese që nuk e fituam këtë takim”, theksoi Arteta pas ndeshjes.
()
© BalkanWeb