Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot një tjetër seancë në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Adrian Cenaj, Dedan Gjoni, Besmir Murtati dhe Albert Prenga. Në sallë ishte i pranishëm vetëm Bujar Ajeti, ndërsa pesë të tjerët u përfaqësuan nga avokatët e tyre, pasi kishin shprehur vullnetin për të mos qenë të pranishëm në këtë seancë.
Avokati Maks Haxhia paraqiti konkluzionet përfundimtare në emër të klientit të tij, Ismail Zeneli, i cili përballet me disa akuza të rënda, përfshirë trafik ndërkombëtar droge në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, organizatë kriminale dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje. Sipas avokatit, prokuroria nuk ka paraqitur prova konkrete për asnjë nga episodet, duke u mbështetur kryesisht në interpretime të pasakta të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC dhe dëshmi të fragmentuara. Haxhia theksoi se nuk ka lidhje mes komunikimeve të pretenduara dhe ngarkesave të sekuestruara të drogës, ndërsa kërkoi shpalljen e Zenelit të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Ndërkohë, mbrojtja e Bujar Ajetit, përmes një dosjeje me 29 faqe dhe disa prova të reja, argumentoi se klienti duhet të shpallet i pafajshëm për akuzat që lidhen me pjesëmarrjen në grup kriminal dhe sigurimin e kushteve për të kryer vrasje. Ajeti ka pranuar vetëm akuzën për mbajtje pa leje të një arme në banesë, ndërsa ka mohuar çdo përfshirje tjetër, duke deklaruar se nuk ka ditur identitetin e vërtetë të personit që ka takuar, i cili më vonë rezultoi të ishte Nuredin Dumani.
Mbrojtja kërkoi që për këtë vepër të vetme, të merren në konsideratë rrethanat lehtësuese, përfshirë sjelljen e mirë të Ajetit në paraburgim, gjendjen e tij shëndetësore dhe rrethanat familjare, duke kërkuar një dënim minimal ose zëvendësim të dënimit me kohën e qëndrimit në paraburgim.
Gjykata pritet të japë vendimin në një seancë të ardhshme, ndërsa mbrojtja është shprehur e bindur se mungesa e provave konkrete do të çojë në shpalljen e pafajësisë për të pandehurit.
© BalkanWeb