Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet sot për të shqyrtuar propozimin për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Kërkesa mbështetet në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku parashikohet shkarkimi i kryebashkiakut nëse ai nuk paraqitet në detyrë për tre muaj rresht. Sipas këshilltarëve, prej 10 shkurtit – kur Veliaj u arrestua – Tirana është pa një drejtues të zgjedhur dhe ka nevojë për një kryetar aktiv.
Në orën 10:00 u mblodh së pari komisioni i çështjeve ligjore dhe drejtësisë sociale, i cili teksa shqyrtoi kërkesën e anëtarëve socialistë të këshillit bashkiak, vendosi që Veliaj mos të ishte i pranishëmnë sallën e mbledhjes.
Ngelet për t’u parë nëse do të vendosin të gjithë anëtarët e këshillit për shkarkimin e Veliajt, pasi mes tyre ka dhe shumë bashkëpunëtorë të tij, apo do të duhet të dëgjojnë urdhrin e PS-së. Nëse vendimi për shkarkim miratohet, ai i kalon Këshillit të Ministrave për miratim, dhe më pas Presidentit të Republikës, i cili duhet të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditësh.
Megjithatë, Veliaj ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese, çka do të pezullonte përkohësisht zbatimin e tij.
© BalkanWeb