Endrit Shabani në Këshillin Bashkiak: Çuat dëm 7 muaj për Tiranën. Veliaj ‘mbajti’ karrigen e kryetarit dhe në burg

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endri Shabani, theksoi se mbledhja për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj po zhvillohet me vonesë prej 7 muajsh, duke mbajtur peng kryeqytetin dhe qytetarët. Ai, si kreu i Nismës Thurje dhe denoncues i Veliajt, u shpreh se kryebashkiaku nuk dha dorëheqjen as në muajin dhjetor dhe as tani, “duke vazhduar të mbajë karrigen e kryebashkiakut edhe ndërkohë që është në burg”.

Shabani theksoi se kishte bërë disa kërkesa për këtë çështje, të cilat ishin refuzuar për muaj me radhë, duke shtuar se “interesi partiak ka qenë mbi hallet e kryetarit të bashkisë”. Ai vijoi duke thënë se Veliaj nuk duhej të ishte kryebashkiak prej një viti, pasi kishte humbur moralin dhe përgjegjësinë. “Ai duhej të jepte dorëheqjen në dhjetor kur u denoncua, në shkurt kur u arrestua, në maj kur u përfundua afati ligjor dhe në korrik kur u vendos në burg. Por jo, ai e mbajti karrigen e kryebashkiakut edhe në burg,” tha Shabani.

Më tej, ai argumentoi se Veliaj kishte refuzuar kërkesat, dhe se këshilltarët socialistë e kishin mbështetur duke bërë “sikur nuk e shihnin çështjen”. Ai iu bëri thirrje anëtarëve të mazhorancës të kërkonin falje publike dhe të merrnin përgjegjësi.

“Këshilli dhe Veliaj refuzuan vazhdimisht kërkesat, edhe ju bëtë ‘sy qorr’. Prandaj, duhet të kërkoni ndjesë sot në këtë mbledhje, sepse i keni humbur Tiranës shtatë muaj. Jam i kënaqur që po ndodh sot, më mirë vonë se kurrë. Le të votojmë shkarkimin, por edhe të mësojmë nga kjo situatë dhe të marrim përgjegjësi që të mos përsëritet në të ardhmen,” përfundoi Shabani.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×