Inter rigjeti suksesin edhe në Serie A pas fitores ndaj Sassuolos të dielën dhe asaj të mesjavës së shkuar ndaj Ajax për Champions League.
Megjithatë për Interin, ky fillim sezoni ka sjellë një kontrast të qartë mes sulmit dhe mbrojtjes. Bastoni, Dumfries dhe Dimarco kanë ndihmuar vërtet shumë në shënimin e golave për ziklatrit, duke e bërë mbrojtjen pjesë të pandashme të krijimit të mundësive për gol. Goli i Bastonit në debutim kundër Torinos, ai i Dumfries ndaj Udineses, dhe goli i Dimarco në fitoren ndaj Sassuolos janë dëshmi e këtij trendi.
Ky sistem, që ka funksionuar me shumë sukses edhe në vitet e shkuara nën drejtimin e Simone Inzaghit, vazhdon të jetë i njëjti nën udhëheqjen e Cristian Chivut. Për të kuptuar dimensionin e këtij fenomeni, mjafton të kujtojmë se vitin e kaluar Interi shënoi 31 gola nga mbrojtësit, me Dumfries që ishte lideri i këtij kapitulli me 11 gola.
Por, pavarësisht këtij impakti pozitiv nga mbrojtësit, Chivu dhe ekipi i tij kanë ende një sfidë të madhe për të përballuar: mbrojtja e dobët. Pavarësisht përpjekjeve të pasura sulmuese, Interi ka pësuar tashmë shtatë gola në Serie A, më shumë se çdo sezon tjetër të fundit. Shifra alarmante është ndikuar jo pak nga humbja e dhimbshme ndaj Juventusit, përfunduar me rezultatin 4-3 në favor të bardhezinjve.
Një situatë që Chivu ka komentuar pas fitores ndaj Sassuolos, duke pranuar se ekipi ka nevojë të “mbyllë ndeshjet më herët”.
Interi duket i fuqishëm në sulm, por për të rivalizuar për titujt, mbrojtja duhet të jetë po aq e fortë. Sfida për Chivun dhe futbollistët e tij është tani të gjejnë balancin mes një sulmi të fuqishëm dhe një mbrojtjeje të qëndrueshme.
© BalkanWeb