PSG “bie” në Velodrom, Marseille fiton klasiken në Francë, i shkakton humbjen e parë kampionëve

Olympique Marseille mposht PSG në klasiken e futbollit francez 1-0. OM rikthehet të fitojë një sfidë në shtëpinë e saj në “Velodrom” pas plotë 14 vitesh. Sfida ndaj kampionëve të Evropës u zhvillua të hënën në mbrëmje, 24 orë më vonë nga sa ishte planifikuar për shkak të kushteve atmosferike të dielën. Shumë zhurmë shkaktoi kjo shtyerje për vetë faktin se paralelisht me sfidën Marseille-PSG po zhvillohej në Paris ceremonia e Topit të Artë.

Parizienët nuk ishin dakord me zhvillimin e sfidës të hënën kjo për faktin se disa prej yjeve të saj si Osmane Dembele, Doue, Neves dhe Barcola nuk ishin të gatshëm për këtë sfidë, gjithashtu ata kërkonin të ishin pjesë e mbrëmjes gala, aty ku do të nderoheshin edhe me çmimet simbolike nga France Football jo vetëm në nivel individual por edhe ekipor. Në krahun tjetër vendasit kërcënuan me padi federatën franceze të futbollit nëse kjo ndeshje do të shtyhej sërish.

Sa i takon ndeshjes, ajo u zgjidh shumë shpejtë nga marsejezët. Një krosim nga e djathta në minutën e 5 dhe marokeni Aguerd me kokë devijon saktë duke shmangur daljen e gabuar e tërësisht të pa studiuar nga ana e portierit Chevalier. Në të 25 minutë vendasit godasin edhe traversën me sulmuesin Gouiri, që pati shansin për të dyfishuar.

Parizienët u munduan të gjenin golin e barazimit në fraksionin të dytë, por Kvaratchkelia dhe Hakimi nuk kishin fat me portierin Rulli që ishte në një mbrëmje fantastike. Në fund pati shumë tension, me teknikun italian De Zerbi të Marsejës që ndëshkohet me karton të kuq për shkak protestave, ndërsa pas vërshëllimës finale të arbitrit nisën edhe konfrontimet mes lojtarëve dhe stafeve të dyja skuadrave.

Një klasike që i solli të gjitha, por mbi gjithçka solli humbjen e parë sezonale për PSG. Në Paris ata u kurorëzuan si skuadra më e mirë e 2025, por në të njëjtë mbrëmje parizienët bien në Velodrom, me Olympique Marseille që paktën për një mbrëmje proovi ndjesinë e të mundurit të më të mirëve.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×