Pas shkarkimit të Erion Veliajt nga pozita e Kryebashkiakut të Tiranës, qyteti do të kalojë në zgjedhje të parakohshme. Partia Socialiste ka shpallur kandidaten e saj për këtë post, duke zgjedhur Ogerta Manastirliun.
Nga ana tjetër, në opozitë, emra të ndryshëm janë përfolur për të kandiduar nën siglën e Partisë Demokratike. Një ndër këta emra është Ilir Alimehmeti, i cili ishte i ftuar në studion e News24, ku diskutoi për mundësinë e tij për t’u bërë kandidati i PD-së për kryebashkiak të Tiranës.
Alimehmeti theksoi se çdo kandidat duhet të paraqesë një projekt të qartë për qytetin, i cili më pas shqyrtohet nga kryetari dhe kryesia e partisë për të vendosur cilat janë opsionet më të mira për të ardhmen e Tiranës.
Ai shpjegoi se ka një projekt katërvjeçar të përgatitur që përfshin një program zhvillimor të bashkëpunimit me Këshillin Bashkiak, dhe shprehu besimin se nëse projekti i tij do të përzgjidhej, ai do të kishte një plan konkret veprimi gati për vitin 2027. Sakaq, ai theksoi se me kohën e mbetur nga mandati i lënë përgjysmë nga Veliaj, nuk ka kohë të mjaftueshme për implementimin e një programi.
“Unë e kam një projekt që e kam paraqitur që në vitin 2022, për një mandat të plotë, bashkë me këshillin bashkiak. Ky është programi im. Nuk ka asnjë trembje. Nëse ky projekt pranohet, do të kemi një diapazon veprimesh të qarta për të shkuar përpara,” tha Alimehmeti.
Alimehmeti theksoi gjithashtu se programi i tij ka si fokus zhvillimin e Tiranës dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët, duke siguruar që bashkia të ofrojë më shumë mundësi dhe shërbime për të gjithë ata që jetojnë në kryeqytet.
© BalkanWeb