Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka mbajtur një qëndrim të fortë në Kuvend, duke akuzuar kryeministrin për sjellje autokratike dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi për bashkëpunim në shtypjen e debatit parlamentar. Zhupa kërkoi përsëritjen e seancës së fundit parlamentare, gjatë së cilës u prezantua programi i ri qeverisës, por që, sipas saj, u mbyll në mënyrë të paprecedentë pas vetëm 25 minutash.
Në fjalën e saj, Zhupa deklaroi se deputetëve iu mohua e drejta për të pyetur kryeministrin dhe për të zhvilluar një debat të hapur në interes të qytetarëve.
“Deputetët kanë të drejtë të pyesin kryeministrin dhe të bëjnë debat. Ju keni zbardhur një procesverbal që nuk tregon realitetin. Duhet të përmendni fjalën kërcënuese të kryeministrit drejtuar juve për mbylljen e seancës sepse i ranë nervat,” – u shpreh Zhupa, duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit.
Ajo shtoi më tej se sjellja e kryeministrit është tipike për një “autokrat që i detyrohet krimit”, i cili – sipas saj – nuk duron debatet parlamentare dhe mendon vetëm për interesat e tij personale.
Zhupa akuzoi kryeparlamentarin Peleshi se është shndërruar në “ushtar”, duke zbatuar urdhrat e kryeministrit dhe duke mbyllur seancën në mënyrë të njëanshme. Ajo kërkoi që procesverbali i seancës të mos miratohet dhe theksoi se ngjarja është tregues i degradimit të sistemit parlamentar në Shqipëri.
“Ajo seancë e programit qeverisës duhet të përsëritet dhe deputetët të kenë mundësinë të flasin për interesin publik. Ju si kryeparlamentar ju ftoj të mos e miratoni procesverbalin dhe ta kuptojnë të gjithë që këtu nuk ka lidhje me demokracinë e parlamentarizmin,” përfundoi deputetja demokrate.
© BalkanWeb