Keidi Bare u kthye titullar te skuadra e Saragozës për herë të parë që nga muaji mars i këtij vitit, pasi dëmtimet e kishin lënë jashtë për një kohë të gjatë. Por për këtë ndeshje ndaj Seutas, atij i është dashur të kalojë një peripeci të pazakontë.
Seuta është një lokalitet autonom në bregdetin e Afrikës veriore, në kufi me Marokun. Dhe normalisht, për të shkuar në këtë lokalitet, mund të udhëtohet me avion drejt një aeroporti të afërt në Marok, ose të bëhet kalimi i Detit Mesdhe me varkë.
Por Bare, Akuoku, Bazhdar, Saidu dhe Radovanoviç, nuk janë komunitarë, ndaj nuk mund të udhëtonin lirshmërisht në Marok me pjesën tjetër të ekipit që do të bënte rrugëtimin me avion. Klubi gjithashtu nuk donte të lodhte futbollistët me udhëtimin me varkë në Mesdhe për të përshkruar ngushticën e Gjibraltarit.
Kësisoj, është gjetur zgjidhja me një udhëtim me helikopter. Bare dhe katër futbollistët e tjerë, të shoqëruar nga psikologu i klubit, kanë shkuar në qytetin e Algesiras në jug të Spanjës dhe që aty me helikopter kanë përshkruar ngushticën, duke u ulur direkt në Seuta.
Kësisoj, futbollisti ia doli të luante titullar në ndeshjen ku për fat të keq skuadra e tij u mund 1-0. Dhe po ashtu siç kishte ardhur, pas ndeshjes bashkë me të tjerët i hipën përsëri helikopterit dhe u kthyen në anën tjetër të Mesdheut.
© BalkanWeb