Politologu Ermal Hasimja ka komentuar të ardhmen e lidershipit në Partinë Socialiste dhe mundësinë e pasardhësit të Edi Ramës në krye të qeverisë.
I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Hasimja argumentoi se, ndonëse emri i Belinda Ballukut përmendet si pasuese e mundshme, ajo nuk ka gjasa ta sfidojë drejtpërdrejt Ramën, duke nxjerrë në pah shembullin e fundit të Erion Veliajt.
“Riemërimi i Ballukut si zëvendëskryeministre nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Është një nga personat më të fuqishëm në qeveri. Por para saj ka qenë Veliaj, edhe më i fuqishëm. Kishte në dorë edhe Tiranën. Dhe pamë çfarë ndodhi: një lëvizje nga Rama dhe Veliaj u hoq qafe pa asnjë zë, pa asnjë kundërshtim nga partia,” u shpreh Hasimja.
Ai theksoi se ky precedent është parë me kujdes nga të gjithë figurat politike brenda PS-së, përfshirë Ballukun, e cila sipas tij është më e kujdesshme dhe e matur në shfaqjen e ambicieve të saj politike.
“Rama bën çfarë të dojë. E krijoi vetë Veliajn dhe me një lëvizje gishti e eliminoi. Talenti i Ballukut është pikërisht që nuk po bën atë që bëri Veliaj, i cili gjithnjë përpiqej të impononte figurën e vet,” shtoi Hasimja.
Hasimja përfundoi se, për çdo figurë që synon të jetë pasardhës i Ramës, strategjia më e sigurt është durimi dhe pritja.
“Nuk ka asnjë që të bëjë ndaj Ramës atë që bëri Rama ndaj Nanos. Më mirë të të ndihmojë Zoti dhe të presësh sa të ikë vetë”, tha ai.
© BalkanWeb