Po mbahet seanca për dosjen “5D”, ku mes dëshmitarëve është edhe deputeti demokrat Belind Këlliçi.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur për dëshminë e Këlliçit, ku ka bërë me dije se i qëndron dëshmisë së dhënë më parë në Prokurorinë e Posaçme.
“Gjithë informacionin e kam marrë shkurt-mars 2023, e kam dorëzuar si provë në organin e akuzës. Kam dhënë dëshmi në SPAK dhe i qëndroj. 25 mln dollar është përllogaritja që kemi bërë që është fituar nga 5D”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë i pyetur nga avokatit të Mariglen Qatos, Ardian Leka, Këlliçi ka treguar mënyrën se si ka rënë në kontakt me të dhënat mbi të cilin u bë denoncimi.
“Ka ardhur një zarf dorazi, është protokolli, s’merrem unë drejtohuni Partisë Demokratike. Kam arritur përmes faqes së QKR fillimisht të ndjek kompaninë, kam bërë lidhjen e konfliktit të interesit dhe kam bërë një deklaratë publike. Do kisha kërkuar të njihesha me procedurën se si bëhen pyetjet e nderuar gjykatë. Duhet të kuptoni, kam bërë me qindra denoncime publike që përmbajnë emra e të dhëna dhe nuk është e thjesht t’i kujtoj specifikisht të gjitha. Duhet kuptuar koha, situata që janë bërë.
Mendoj se detyrën time e kam kryer. Informacioni që më ka ardhur ka qenë me shkrim pa emër pa adresë, por ka pasur emrin tim mbi zarf. Më është dorëzuar mua personalisht dhe jam njohur vetëm unë me materialin. Kam bërë qindra denoncime. Kam patur kallëzime edhe për çështjen në fjalë kallëzim për shpifje. Jam aktualisht në gjykatën civile për shpifje të iniciuar nga ish kreu i bashkisë tiranë Erion Veliaj. Qoftë në deklaratën publike qoftë në kallëzim, ka qenë Qato më pas ka qenë edhe Molla e drejtor të tjerë. Informacionin e parë e kam patur për Qaton, atë që kam patur si informacion atë kam depozituar dhe kallëzuar”, ka deklaruar ai.
© BalkanWeb