Krahasimi me vjet, vetëm fitorja ndaj Bylisit e rregullon situatën e Partizanit

Partizani aktual ka 3 pikë më pak krahasuar me sezonin e kaluar, kur ishin mbyllur katër javë. Fillimisht me Arbër Abilaliajn dhe më pas me Aleksandër Veselinoviç, të kuqtë shkonin në kuotën e 7 pikëve pas katër ndeshjesh të luajtura.

Të njëjtin numër pikësh grumbullonin edhe Elbasani, Vllaznia me Egnatian. Trajneri Veselinoviç mbahej mend për ecurinë e gjatë pa pësuar humbje. Ndryshe është situata me Milinkoviç, i cili tashmë regjistron dy disfata radhazi. Llogaritë kanë filluar të bëhen të vështira. Vetëm Elbasani ka përmirësuar situatën e tij nga vjet, pasi regjistron 10 pikë duke kryesuar i vetëm. Pjesa tjetër nuk i kalon sërish 7 pikë. Vendi i shtatë që Partizani aktualisht mban mund të përkthehet me situatë alarmante, nëse ndryshimi nuk vjen që të shtunën.

MUNDËSIA- Kështu shpresa qëndron që gjithçka mund të rregullohet, vetëm nëse Partizani fiton në Ballsh. Kjo sepse në përfundim të pesë javëve do të ishin 7 pikë të grumbulluara. Ndryshe vetëm 1 më pak se shtatori i kaluar në të njëjtën situatë. Për më tepër që Partizani është para sfidës në derbi me Tiranën. Dhe duke qenë se fitorja në edicionin e kaluar mungoi, tetori mund të kthehet në frymëmarrjen që Milinkoviç ka nevojë te kryeqytetasit.

Delikate paraqitet situata për trajnerin e “demave”, i cili nëse nuk fiton në Ballsh do të ndihej i rrezikuar. Vetëm Mark Iuliano me 2 pikë pas katër javësh dhe Ilir Daja në kuotën e 3 pikë, respektivisht në edicionet 2017/18 dhe 2021/22, e nisnin më keq. Statistikat kanë filluar të flasin dhe të krijojnë presion, që gjithsesi klubi i kuq si gjithmonë mundohet të mos e përcjellë. Bylisi mati forcat me Dinamon në stadiumin “Selman Stërmasi”, disa ditë më parë, dhe pjesëtarë të stafit të Partizanit vendosën ta ndiqnin nga pranë takimin.

Çdokush tjetër do e shfrytëzonte të dielën pushim, por jo të kuqtë të cilët tashmë janë me laps e letër në dorë. Bylisi ndërkohë u tregua i fortë ndaj Dinamos duke barazuar pa gola në transfertë. Sinjalet tregojnë se Partizanin e pret transfertë mjaft e vështirë, sidomos duke marrë parasysh se dy sfidat e fundit atje janë mbyllur humbje. Nga dinamovitët ndërkohë erdhi një asist për rivalët e kryeqytetit, pasi Peralta mungon të shtunën për shkak të kartonit të kuq që mori. Futbollisti me eksperiencë është lider te skuadra e Mirel Josës, që duhet të bëjë llogaritë pa të këtë radhë.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×