Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Silvio Gonzato ka zhvilluar një takim të enjten me ministrin e ri të Mjedisit, Sofjan Jaupaj.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetin social facebook, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, ka informuar rreth takimit ku theksi u vu tek sfidat kyçe që lidhen me mbrojtjen e natyrës, menaxhimin e mbetjeve, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe ajrit, si dhe luftën kundër krimeve mjedisore.
“Mbrojtja e natyrës, menaxhimi i mbetjeve, përmirësimi i cilësisë së ujit dhe ajrit, si dhe lufta kundër krimeve mjedisore janë sfida kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Përballimi i këtyre sfidave do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.”- thuhet në njoftim.
Ambasadori Gonzato vuri në dukje se përballimi i këtyre sfidave do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë.
“Shqipëria duhet të linjëzohet me legjislacionin e BE-së për të përmbushur kriteret përmbyllëse për Kapitullin 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike)”, deklaroi Gonzato.
Ai siguroi ministrin Jaupaj për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së në zbatimin e prioriteteve mjedisore dhe përpjekjet për përmirësimin e standardeve.
© BalkanWeb