Gazetari Anri Bala, i ftuar në studion e News24, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me marrëdhëniet brenda mazhorancës dhe pozicionin e zv/kryeministres Belinda Balluku në qeveri.
Sipas Balës, pas një fasade bashkëpunimi institucional, fshihet një përplasje e vërtetë mes kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, e cila, sipas tij, do të çojë shumë shpejt në largimin e saj nga qendra e pushtetit.
“Rama do t’ia heqë pushtetin shumë shpejt Belinda Ballukut. Ky është teatri i dytë i Ramës, sepse mesa di unë, ka një përplasje të fortë mes të dyve”, deklaroi gazetari.
Ai shtoi se kjo përplasje nuk është vetëm personale, por e lidhur ngushtë me grupet e interesit që mbështesin Ballukun dhe që aktualisht janë në konflikt të hapur me vetë kryeministrin.
“Kjo rivendosje e saj si zv/kryeministre është si të thuash ‘rri aty, se s’kam gjë me ty, derisa të përmbushet qëllimi’. Është një mënyrë për ta mbajtur nën kontroll, deri në momentin kur Rama do të veprojë”, theksoi Bala.
© BalkanWeb