Avokatja Enida Bozheku, e ftuar në emisionin “Log.” në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit pas shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra si kryetar i Bashkisë Tiranë dhe situatën ligjore në të cilën ndodhet ai aktualisht, duke sugjeruar një skenar ligjor që mund t’i hapë rrugën lirimit të tij.
Sipas Bozhekut, Veliaj nuk është i penguar ligjërisht që të apelojë vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese, dhe sipas saj, nga një këndvështrim teknik, ai duhet ta ndjekë këtë rrugë.
“Veliaj nuk është i ndaluar ta çojë shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. Nga pikëpamja ligjore duhet ta çojë çështjen atje. Kjo është e rëndësishme, edhe për të adresuar çështjen e ndalimit të tij fizik për të ushtruar detyrën si pasojë e arrestimit,” u shpreh avokatja.
Ajo shtoi se nëse Veliaj nuk e ndjek këtë rrugë brenda afatit, kjo mund të ndikojë në ecurinë e çështjes në instancat e tjera, përfshirë Gjykatën e Lartë.
“Nëse nuk e çon në Kushtetuese, ky fakt mund të përdoret në Gjykatën e Lartë, ku ai mund të ketë një shans për të fituar lirinë, në varësi të interpretimit që jepet nga ajo gjykatë,” theksoi Bozheku.
Nga ana tjetër, ajo theksoi se përveç aspektit ligjor, ekzistojnë edhe dinamika të tjera procedurale që mund të ndikojnë në ecurinë e çështjes.
“Politikisht, varet si është pakti. Duhet të presim 15 ditë për ta kuptuar nëse ai do ta sfidojë vendimin. Nëse vendos ta çojë në Kushtetuese, kjo do të kërkojë kohën e nevojshme të shqyrtimit nga kjo gjykatë, përveç rastit kur nuk bëhet një trajtim preferencial,” tha Bozheku.
© BalkanWeb