Vetting zbërthen skemën “Xuex”/ Si përfunduan paratë e shqiptarëve te “profesori”, roli i Arbër Çelës e Ereledio Shebekut. Mesazhet në Telegram

Institucionet heshtën
Duke iu referuar dosjes së Prokurorisë, një nga personazhet më të rëndësishëm në skemë, që ka arrestuar policia, por pretendon se është viktimë është Arbër Çela. Kontrolli në banesën dhe lokalin “La Bonta” të Çelës nxori në pah shuma të mëdha parash në valuta të ndryshme, dy telefona të shtrenjtë, një laptop, një DVR dhe një automjet luksoz.

Në telefonin e tij hetuesit gjetën gjurmë të lidhura drejtpërdrejt me “XUEX” dhe me transaksione të shumta. Çela ka pranuar se kishte hedhur 2,300 dollarë dhe kishte fituar 8 deri në 9 mijë, të cilat i kishte tërhequr në Prizren. Madje në hyrjen e lokalit kishte një poster që reklamonte platformën “XUEX”, duke ngritur pikëpyetje të forta jo vetëm mbi rolin e këtij personi, por edhe ndaj hetimeve të Prokurorisë së Fierit. Përfshirja nuk ndalej tek ai.

Në dosje del emri i Ereledio Shebekut, një i ri që ndihmonte të tjerët të regjistroheshin në platformë.

***

Problemi do të merrte vëmendje publike, kur këto skema do të denoncoheshin nga deputeti i Partisë Socialiste, ish zv.kryeministri Erion Braçe. “Dëgjoni… Ju kisha paralajmëruar ekzaktësisht këtë sepse piramidat kështu funksionojnë. Nuk ka qenë bursë kurrë, por thjesht ka qenë piramidë dhe kjo po provohet qartësisht tani”, do të denonconte nga rrjetet sociale deputeti socialist Braçe.

Duke përllogaritur datën e infiltrimit nga agjentët e policisë dhe deklaratën nga ish zv/kryeministri Braçe rezulton se hapi i parë serioz është bërë në 28 gusht 2025, në të njëjtën ditë që ka bërë denoncimin publik vetë deputeti.

Sipas viktimës që ishte regjistruar në “Xuex”, bllokimi i parave në këto skema lidhej me denoncimin nga ish zv/kryeministri.

“Arsyeja është se ai politikani juaj ka bërë denoncim, kjo është arsyeja dhe prandaj është mbyllur”, do të pohonte për “Vetting” viktima.

Faktikisht menjëherë pas deklaratës së deputetit Braçe do të kishte tronditje brenda platformave private Telegram, ku operonin këta persona dhe shumica e tyre kërkuan të tërhiqnin lekët. Madje në disa raste, sipas dosjes nga Prokuroria bisedat në chat do të merrnin tone të ashpra.

Qytetari:

Po më shkakton probleme me familjen. “Shpresoj te rregullohet situata sa më parë profesor. Të tjerët janë Ok po ky ka futur një shumë prej 10.000 dollarësh dhe më kërcënon me jetën time. Edhe pse po ia shpjegoj shumë herë këtë situatë”.

Leo Smith:

“Kërkoji të presë me durim, nuk janë paratë që humbasin, është vetëm vonesa në pagesë. Pra, çfarë mendon se duhet të bëjmë? E tëra çfarë mund të bëjmë tani është të presim, vëlla. Në rregull, besoj se mund ta kalojmë këtë krizë pa probleme, mos u shqetësoni”.

Personazhi që quhet Leo Smith ose ndryshe profesori, është individi që drejtonte të gjitha transaksionet, komandonte dhe orientonte agjentët nëpërmjet grupeve në platformës Telegram. Sipas Prokurorisë së Fierit ka dyshime për nënshtetësinë e këtij personi, por ajo që konfirmohet tashmë është se nuk ka patur vetëm një grup.

As policia, as Autoriteti për Sigurinë Kibernetike dhe as Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare nuk kanë dhënë një profil demografik të viktimave. Por nga analizimi i mënyrës se si këto platforma funksionojnë mund të nxjerim disa përfundime.

Viktima anonime:
“Te grupi po, unë jam akoma se kam dalë atje, por disa pjesë e njerëzve kanë qenë grupi rreth 850 tani kanë mbetur diku tek 800 a më pak, kurse të huaj kanë qenë 8 mijë e ca. Për momentin është diku 8 200. Ky është 1 tjetër, ky për momentin është 6188, ku këtu dërgojnë foto, ku hanë darka dhe dërgojnë edhe programin në foto e kupton”.

Duke pasur parasysh modelin operativ të skemës ku viktimat rekrutoheshin përmes rrjeteve sociale është e mundur që të preken grupmoshat që janë mjaft aktive online, pra të rinj nga mosha 18- 35.

Sipas ekspertit Gjergji, brezat e rinj janë më të dhënë mbas teknologjisë dhe ndikohen shumë nga influencerat në platformat sociale.

“Ky brez nuk e ka përjetuar shijen e hidhur të një dështimi financiar, siç është rënia e skemave piramidale në vitin ‘97. Pra, nuk e njohin si fenomen dhe nuk e kanë dëgjuar nga prindërit”, u shpreh eksperti Gjergji.

Në të njëjtën ditë, që pati reagime nga deputeti i mazhorancës, papritur u kujtuan dhe institucionet që duhet të monitoronin këto platforma apo kanë kompetenca për të parandaluar këto mashtrime.
Në 28 gusht 2025, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike do të njoftonte qytetarët shqiptarë të bënin kujdes nga platforma TXEX. Sipas Autoritetit të Sigurisë Kibernetike, përveç TXEX në treg ishin edhe 2 platforma të tjera të ngjashme XUEX dhe Grokrexduu. Institucioni do të deklaronte se kishte marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese, duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse si Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Policinë e Shtetit dhe kompanitë që ofronin internetin.

Në të njëjtën ditë do reagonte dhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare duke deklaruar se platformat TXEX, XUEX dhe GROKREXDUU nuk janë të licencuara apo të autorizuara nga atë vetë për të ofruar shërbime investimi.

Sipas Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare rezulton se këto platforma paraqiten si aplikacione investimi që u ofrojnë përdoruesve “sinjale blerjeje” për kripto-asete, duke krijuar përshtypjen tek investitorët se mund te ndikojnë mbi çmimet dhe të realizojnë përfitime. Autoriteti do të deklaronte se në tërësinë e tij ky proces është fiktiv dhe është në kundërshtim me ligjin duke mashtruar qytetarët.

Shifrat flasin qartë, vetëm në Divjakë janë evidentuar mbi 580 persona të prekur, me shuma investimi që shkonin nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë për person, duke përfshirë shpesh edhe familjarët.

Hetimi mbi platformën mashtruese XUEX nxori në pah një skemë tipike piramidale me kriptomonedha, që u përhap gjerësisht në qytete si Divjakë, Lushnje, madje edhe në Kosovë, nëpërmjet Prizrenit.

Ky rast tregon qartë se mashtrimet me kriptomonedha jo reale po përdorin të njëjtat mekanizma si skemat piramidale të viteve ’90 në Shqipëri, duke sjellë pasoja të rënda financiare dhe sociale. Problemi nuk është te brezat, por te mënyra se si shteti kujdeset për interesat e qytetarëve, që duhet theksuar, si në ’97, edhe sot ka reaguar mbasi dëmi është bërë dhe organizatorët janë zhdukur bashkë me paratë.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×