Silva Caka është eksponentja e radhës që i bashkohet Partisë Socialiste duke lënë pas jetën në opozitë.
Ajo u emërua sot në detyrën e zv/ministres së Brendshme dhe nga sot do të jetë pjesë e qeverisë.
Caka, e cila dikur mbante edhe postin e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, në një deklaratë të 20 shkurtit 2024 u bënte thirrje qytetarëve që të protestonin kundër qeverisë së udhëhequr nga PS dhe kryeministri Edi Rama.
Në atë kohë ajo shprehej se qeveria ka thyer çdo premtim që ka bërë përpara se të vinte në pushtet dhe se çdo shqiptar kishte “një mijë e një arsye për të protestuar”.
“Nëse ke qoftë edhe një arsye, sado e vogël dhe e parëndësishme mund të të duket, dil e protesto! Dil sot e protesto, eja, sepse shumë shpejt ajo arsye e vogël do kthehet në një problem shumë të madh e të pazgjidhshëm. Kur padrejtësinë e shkakton vetë pushteti, me dashje, mos ki shpresë se ata do reflektojnë e do ta rivendosin të drejtën tënde. Bëhu ti ai që zgjidh dhe zgjedh”, shprehej ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në deklaratën e rreth një viti e gjysmë më parë.
© BalkanWeb