Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Member”, duke vënë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim nga drejtësia për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
I arrestuari është Fredi Pali, 36 vjeç, banues në Lezhë, i cili u lokalizua dhe u kap nga forcat policore në zonën e Ishull Shëngjinit, pas një hetimi të kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ndaj 36-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) më datë 11 prill 2023, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Fredi Pali akuzohet për disa vepra penale të rënda, përfshirë:
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal;
“Grupi i strukturuar kriminal”;
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet rezulton se i arrestuari ka qenë pjesë aktive e një grupi kriminal, që vepronte në fushën e trafikut të narkotikëve, ndërsa dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në pastrimin e të ardhurave të përfituara nga veprimtaritë e paligjshme.
Materialet procedurale lidhur me këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për hetime të mëtejshme.
© BalkanWeb