Një magazinë që shërbente si pikë për fshehjen e lëndëve narkotike dhe përgatitjen e tyre për shitje në doza është zbuluar në Tiranë. Operacioni policor i koduar “Warehouse” ka çuar në arrestimin e pesë shtetasve, të cilët dyshohen si pjesëtarë të një grupi kriminal që merrej me shpërndarjen e narkotikëve.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë në rrugën “Myslym Keta”, në Tiranë, policia ka sekuestruar 9 kilogramë Cannabis Sativa, sasi kokaine, dy armë zjarri, dy armë të ftohta, dy automjete, gjashtë celularë dhe një sërë sendesh të tjera të kundërligjshme.
Shtetasit e arrestuar janë: Xhoi Zina (25 vjeç), Redion Kuqi (21 vjeç), Erdi Gjiriti (37 vjeç), Ardit Citaku (22 vjeç), dhe Angjelina Koçi (22 vjeçe), të gjithë banues në Tiranë. Ata janë kapur në flagrancë gjatë operacionit policor që u zhvillua bazuar në informacione të siguruara nga rrugë policore.
Në magazinën e shtetasit Redion Kuqi, i cili ushtronte aktivitetin e prodhimit të paletave të drurit, u gjet një valixhe që përmbante 9 kg kanabis, si dhe një armë zjarri pistoletë. Hetimet paraprake dyshojnë se sasia e lëndës narkotike ishte transportuar nga Sukthi në Tiranë nga Xhoi Zina, në bashkëpunim me Angjelina Koçin.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka gjetur edhe dy shtetas të tjerë, Ardit Citaku dhe Erdi Gjiriti, të cilët ishin të pranishëm në magazinë. Gjatë kontrollit fizik të Erdi Gjiritit, iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike kokainë.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e Xhoi Zinës, policia ka sekuestruar një tjetër armë zjarri pistoletë dhe dy armë të ftohta.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aktiviteti kriminal vazhdojnë, ndërkohë që materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb