Duket se sot është dita e fundit që ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji mbyll ‘llogaritë’ një herë e mirë me drejtësinë sa i takon çështjes për të cilën u burgos 1 vit më parë.
Demokrati u paraqit sot për herë të fundit tek shërbimi i provës, masë e cila iu dha si kush për lirimin e tij nga qelia.
Pas daljes nga institucioni, Salianji ka deklaruar se nuk e konsideron këtë si fundin e betejës së tij me drejtësinë. Ai është shprehur se do ta çojë çështjen në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke e cilësuar vendimin ndaj tij si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
“Unë jam izoluar dhe burgosur për shkak të bindjeve politike dhe për shkak të denoncimit të një personi të inkriminuar. Histori që nisi shumë vite përpara dhe nga dita në ditë të gjithë denoncimet që kam bërë në emër të PD dhe dhe të gjitha denoncimet nga PD, po faktohen duke faktuar së pari lidhjet e forta të krimit me qeverinë dhe kontrollet e grupeve të krimit dhe përfshirjen e personave në funksione më të larta qeveritare apo policore të drejtësisë. Pas këtij momenti, përfundimi i këtij turpi për drejtësinë, njolle turpi për drejtësinë e kapur politikisht nga Rama do ta vazhdoj këtë çështje deri në Strasburg. Dua të theksoj, se duke qenë se e kam provuar vetë edhe në kurriz që dmth të prodhohen padrejtësi nga institucionet. Do të punoj fort për interesat e qytetarëve që përballen me padrejtësi të përditshme nga institucionet e drejtësisë dhe që janë kthyer në institucione dhunuese e gjobash të përditshme. Beteja ime me drejtësinë është në rrugë e sipër, sapo ka filluar. Për pak ditë do të depozitoj në Kushtetuese dhe nëse do të ketë kontroll nga Rama, do të depozitoj në Strasburg. Jam i bindur në fitore”, tha Salianji.
Ish-deputeti u lirua pas më shumë se 9 muaj qëndrim në burgun e Fierit pa përfunduar afatin e dënimit me 1 vit burg të caktuar nga Apeli në Tiranë.
Kujtojmë se Gjykata e Fierit, vendosi më 8 korrik 2025 lirimin me kusht të Ervin Salianjit për shkak se prokurori i çështjes dha dakordësinë.
Më 26 shtator 2024, Gjykata e Apelit mori vendimin për dënimin me një vit burg për Salianjin, i cili u akuzua për “kallëzim të rremë” për denoncimin që bëri ndaj Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
© BalkanWeb