Rivaliteti mes Tiranës dhe Dinamos është një nga më të vjetrit në futbollin shqiptar, por që nga viti 1998 e deri më sot, bilanci është i njëanshëm. Në 54 përballje, Tirana ka fituar 29 herë, ndërsa Dinamo vetëm 13, me 12 barazime. Bardheblutë kanë shënuar 96 gola e kanë pësuar 67, duke mbajtur një diferencë +29 golash.
Në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, Tirana filloi të krijonte avantazhin ndaj Dinamos. Ky dominim u shënua sidomos në fushën e vet, ku nga 27 ndeshje si pritëse ka arritur 15 fitore dhe vetëm 4 humbje. Me kalimin e kohës, diferenca nuk u ngushtua, përkundrazi, u konsolidua. Blutë kanë pasur momente shkëlqimi të shkurtër, si disa fitore të rëndësishme në shtëpi (9 gjithsej), por këto mbeten episode të izoluara.
Si mysafirë, Dinamo ka arritur vetëm 4 fitore në 27 përballje, shifër që tregon vështirësitë e vazhdueshme përballë bardhebluve. Një element i fortë është se Tirana nuk është mbështetur vetëm te fusha e vet. Në transfertë ka fituar 14 herë, ka barazuar 4 dhe është mundur 9 herë, duke ruajtur një bilanc pozitiv edhe jashtë “shtëpisë”.
Ky fakt tregon një dominim konstant, që nuk varet nga terreni apo rrethanat. Nga ky bilanc del një tjetër e dhënë domethënëse. Tirana ka grumbulluar plot 99 pikë, gati dyfishin e Dinamos që ka vetëm 51. Për më tepër, bardheblutë shënojnë mesatarisht 1.78 gola për ndeshje kundër Dinamos, ndërsa blutë vetëm 1.24.
© BalkanWeb