Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës Ina Zhupa ka reaguar sot në ditën botërore të Turizmit duke venë në dukje potencialet e jashtëzakonshme që ka Shqipëria dhe mungesat e mëdha që vijnë nga puna e dobët e qeverisë.
Zhupa vë në dukje se: “Por të gjithë e dimë që vilat individuale dhe komplekset strategjike nuk mund të quhen investim për turizmin. Akoma në Shqipëri nuk punohet për të zhvilluar maksimalisht këtë sektor. Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme në disa zona turistike, ndërtimet pa kriter që dëmtojnë natyrën dhe identitetin kulturor, mungesa e standardeve në ofrimin e shërbimeve, mungesa e mbështetjes së qëndrueshme për operatorët lokalë. Shteti që nuk garanton gjërat bazike si uji i pijshëm 24 orë, rend dhe siguri, plazhe të certifikuara blue flag, dhe këto janë plaga më serioze kundër turizmit”.
Ajo apelon për investim në turizmin e qëndrueshëm ku qeveria sipas saj duhet të “të vendosë prioritet mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, të ofrojë trajnime dhe mbështetje për fuqinë punëtore në këtë sektor, dhe të sigurojë që çdo projekt zhvillimi të ndërtohet mbi parimin e balancës mes rritjes ekonomike dhe ruajtjes së burimeve tona natyrore”
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Në Ditën Botërore të Turizmit vlen të kujtojmë që Shqipëria, me natyrën e saj të mrekullueshme, trashëgiminë kulturore unike dhe mikpritjen që e karakterizon, ka potencialin për t’u shndërruar në një destinacion të qëndrueshëm dhe cilësor në hartën ndërkombëtare të turizmit.
Por të gjithë e dimë që vilat individuale dhe komplekset strategjike nuk mund të quhen investim për turizmin.
Akoma në Shqipëri nuk punohet për të zhvilluar maksimalisht këtë sektor. Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme në disa zona turistike, ndërtimet pa kriter që dëmtojnë natyrën dhe identitetin kulturor, mungesa e standardeve në ofrimin e shërbimeve, mungesa e mbështetjes së qëndrueshme për operatorët lokalë. Shteti që nuk garanton gjërat bazike si uji i pijshëm 24 orë, rend dhe siguri, plazhe të certifikuara blue flag, dhe këto janë plaga më serioze kundër turizmit.
Qeveria duhet të investojë në turizëm të qëndrueshëm, të vendosë prioritet mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, të ofrojë trajnime dhe mbështetje për fuqinë punëtore në këtë sektor, dhe të sigurojë që çdo projekt zhvillimi të ndërtohet mbi parimin e balancës mes rritjes ekonomike dhe ruajtjes së burimeve tona natyrore.
Si Kryetare e Komisionit të Kulturës dhe Turizmit, mbetem e angazhuar që të bashkëpunoj me të gjitha palët për të ndërtuar një model turizmi që sjell të ardhura, vende pune, por edhe krenari për vendin tonë.
© BalkanWeb