Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, ka vijuar me veprime të zgjeruara hetimore në kuadër të operacionit “Space”, i nisur më 22 shtator 2025, për goditjen e një rasti të ushtrimit të prostitucionit në apartamente të përshtatura në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar.
Si rezultat i fazës së dytë të hetimeve, është identifikuar dhe arrestuar organizatori i dyshuar i rrjetit, një shtetas turk me inicialet I. Y., 37 vjeç, i cili u lokalizua dhe u ndalua nga forcat e Policisë në Tiranë.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 3 telefona celularë të cilët dyshohet se përmbajnë të dhëna të rëndësishme për aktivitetin kriminal dhe rrjetin e prostitucionit.
Operacioni “Space” nisi më 22 shtator, kur u arrestuan 3 shtetase kineze, të cilat ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira në Durrës. Në të njëjtën kohë, materialet hetimore u referuan në Prokurori për 5 shtetas të tjerë të dyshuar, për përfshirje në këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi turk I. Y. ishte personi që kishte rekrutuar gratë kineze dhe kishte organizuar vendosjen e tyre në apartamentin e përshtatur për këtë qëllim, në zonën e lagjes nr. 13, pranë bregdetit.
Materialet procedurale për shtetasin turk i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrjetin dhe për të identifikuar çdo bashkëpunëtor të mundshëm.
© BalkanWeb