Një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Salari të Tepelenës, ku biznesmeni italian Edoardo Sarchi është vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta. Trupi i tij u gjet pak pas mesnatës së të premtes në një vend të quajtur Dilan, midis fshatrave Nivicë dhe Salari.
Sarchi, i cili ka qenë administrator i një fabrike të madhe tullash në Tiranë dhe jetonte në Shqipëri prej rreth 20 vitesh, kishte shkuar për gjah, së bashku me katër persona. Mes tyre ishin ortaku i tij i biznesit, Eqrem Braçi, dhe dy djemtë e tij, Gazmenti dhe Danieli, të cilët janë shoqëruar nga policia. Identiteti i personit të katërt ende nuk është bërë publik nga autoritetet.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, babai dhe dy djemtë kanë dhënë dëshmi kontradiktore mbi ngjarjen. Në një moment kanë përmendur se u sulmuan nga persona të panjohur që qëlluan me armë, më pas thanë se e gjetën të pajetë në rrugë, ndërsa në një version tjetër pretendojnë se e panë të plagosur dhe ai ndërroi jetë në duart e tyre.
Personat e dyshuar udhëtonin me dy automjete, një “Land Rover” dhe një “Volkswagen”, të cilat u sekuestruan nga policia në vendin e ngjarjes.
Hetimet janë në vazhdim dhe policia po punon për të zbuluar dinamikën e saktë të ngjarjes si dhe për të identifikuar dhe arrestuar autorin e krimit.
© BalkanWeb