DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, Gazment Bardhi: Provoi denoncimet e opozitës për kriminalizimin e ekonomisë

Kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi është një tjetër deputet i PD që ka reaguar në rrjetin social facebook pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri.

Bardhi shkruan në mesazhin e tij se raporti provoi edhe njëherë denoncimet me fakte të opozitës shqiptare për kriminalizimin e ekonomisë gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

“Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembërojnë konkurrencën në treg. Raportimi i investitorëve se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale, është faktori kyç që mban larg investimet e huaja nga Shqipëria.

Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 me qëllim nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr shumë investime të huaja, pavarësisht zgjatjeve të shumta përtej afatit fillestar, dhe se shumica e mbi 60 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas.

Gjendja e trishtë e përshkruar në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk ka ardhur nga hiçi. Ajo është krijuar nga Edi Rama, që investimet, lejet e licencat për biznes, në shkelje të konkurencës, i ndanë në takime private nëpër hotelet e botës apo nëpër takime sekrete me krimin e organizuar si ai në Aruba. Për të ndryshuar gjendjen, për të çliruar ekonominë nga korrupsioni e krimi i organizuar, duhet të largohet përgjegjësi i kësaj situate që është Edi Rama”, thuhet në reagimin e kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×