Një konflikt familjar i ndodhur ditën e djeshme ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit në Tiranë, duke çuar në plagosjen e një personi dhe arrestimin e dy të tjerëve.
Policia njofton sot arrestimin e dy personave të përfshirë në ngjarje.
Shtetasi i identifikuar me inicialet M. T., 41 vjeç, dhe kunati i tij G. M., 54 vjeç kanë përfunduar në pranga.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur pasi G. M. dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është motra e autorit të dyshuar. Në kulmin e debatit, 41-vjeçari M. T. ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur kunatin e tij.
Të dy personat u arrestuan menjëherë pas ngjarjes, ndërkohë që arma e përdorur është sekuestruar si provë materiale. Policia vijon punën për kapjen e shtetasit N. S., nip i 41-vjeçarit, i cili ishte prezent në momentin e incidentit dhe u largua nga vendngjarja.
BalkanWeb