Debate të ashpra në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, ku opozita akuzon mazhorancën për shkelje të rregullores dhe mungesë transparence.
Gazment Bardhi kërkoi thirrjen urgjente të Këshillit të Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit dhe denoncoi injorimin e mocionit me debat për programin qeveritar.
Jorida Tabaku kritikoi kalimin e raporteve në komisione të papërshtatshme, duke theksuar se mazhoranca po shkel rregulloren, që vetë ka miratuar. Agron Gjekmarkaj akuzoi PS se po manipulon të vërtetën dhe po i shmanget llogaridhënies pas publikimit të raportit të DASH. Sipas tij, mazhoranca i trembet debatit për korrupsionin dhe dështimet e saj.
Debate nga Konferenca e Kryetarëve
Gazment Bardhi:
Ju sjell në vëmendje se keni detyrim të thërrisni Këshillin e Legjislacionit për kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit. Thirrja e Këshillit është një detyrim që ju duhet ta respektoni.
Kemi depozituar gjithashtu një kërkesë për ripërsëritjen e seancës së datës 12 shtator. Kalimi i çështjeve pa debat, siç e kemi argumentuar, është në shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit. Kjo kërkesë duhet të përfshihet.
Çështja e tretë: kemi dorëzuar një kërkesë për Mocion me Debat mbi programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme. Sipas rregullores, ky mocion duhej të ishte përfshirë në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje të Konferencës së Kryetarëve. Sot është dita e tretë që, sipas afateve të rregullores, përfundon pa asnjë njoftim për mbledhje tjetër.
Po ashtu, e konsideroj të pavend dhe në shkelje të rregullores kalimin e çështjeve apo të raporteve të institucioneve kushtetuese në dy komisione. Kjo është e papranueshme, pasi nuk ka kuptim që, për shembull, Prokurori i Përgjithshëm të raportojë në dy komisione të ndryshme dhe pastaj edhe në Kuvend. Do të thotë të ketë një raportim të dyfishtë për të njëjtën çështje apo institucion. Keni bërë ndryshime në disa nene të rregullores, por keni harruar nenin që e rregullon këtë çështje.
Jorida Tabaku:
Raporti i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk dihet pse duhet të kalojë te Komisioni i Ligjeve. Komisioni përgjegjës për këtë çështje është Komisioni i ri për të Drejtat e Njeriut. Nuk mund të ketë komisione “kryesore” dhe të “dorës së dytë”. Po shkelni vetë rregulloren që e keni miratuar.
Agron Gjekmarkaj:
Pavarësisht se vini nga zgjedhje farsë, Kuvendi ka zgjedhur një Kryetare dhe nuk është e nevojshme të zgjedhim një tjetër për të kontrolluar atë që kemi zgjedhur. Nuk doja të flisja, por zoti Balla, si gjithmonë, ka krijuar një të vërtetë të tijën, duke folur për “arritje”.
Në fakt, dje doli një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit. Kuvendi duhet të krijojë hapësirë për të diskutuar mbi ato çështje themelore që ngrihen në raport: krimi, korrupsioni, një realitet i zymtë. Por ju po i ikni të vërtetës, duke ndërtuar një realitet fals. I shmangeni përgjegjësisë për të diskutuar mbi qeverisjen tuaj, sepse i trembeni transparencës.
BalkanWeb