Avokatja e Andia Pustinës, e cila është mes të pandehurve për dosjen “Partizani” ka paraqitur në seancën e sotme në GJKKO argumente të reja, duke u shprehur se Gjykata Kushteuese ka shpallur të paligjshëm kontrollin e ushtruar pranë studios së saj.
Avokatja Klodiana Gjyzari kërkoi për këtë arsye pavlefshmërinë e të gjitha akteve dhe të dhënave, pasi sipas saj GJK ka konstatuar se është cenuar e drejta e privatësisë së banesës.
“Në këtë kuptim ne kërkojmë pavlefshmëri të sekuestrimit të sendeve pasi policia gjyqësore ka ushtruar kontroll pa vendim gjykate. Kjo gjë tashmë është konstatuar nga gjykata kushtetuese”, u shpreh ajo në seancë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
V E N D O S I:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës.
- Konstatimin e cenimit të së drejtës së kërkueses për paprekshmërinë e banesës, sipas arsyetimit të këtij vendimi.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 01.07.2025
Shpallur më 25.09.2025
A N Ë T A R E A N Ë T A R E K R Y E T A R E
Pjesërisht kundër
/Fiona Papajorgji/(d.v.) /Marsida Xhaferllari/(d.v.) /Holta Zaçaj/(d.v.)
A N Ë T A R A N Ë T A R A N Ë T A R E
Pjesërisht kundër Pjesërisht kundër
/Genti Ibrahimi/(d.v.) /Sandër Beci/(d.v.) /Sonila Bejtja/(d.v.)
A N Ë T A R A N Ë T A R E
/Ilir Toska/(d.v.) /Marjana Semini/(d.v.)
Vërtetohet njësia me origjinalin
SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
Eugen PAPANDILE
MENDIM PARALEL
- Në gjykimin kushtetues të çështjes nr. 10 (S) 2024 të Regjistrit Themeltar që i përket kërkueses, “Studio Pustina”, me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve datë 28.04.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; nr. 206, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 128, datë 15.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-741 (26), datë 08.02.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, i bashkohemi shumicës për zgjidhjen e saj në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për paprekshmërinë e zyrës së kërkueses, që mbrohet nga neni 37 i Kushtetutës. Megjithatë, në lidhje me argumentet që kanë çuar në përfundimin se ky pretendim është i bazuar, ne kemi një qasje të ndryshme nga shumica në drejtim të vlerësimit të kritereve kushtetuese të ndërhyrjes në këtë të drejtë kushtetuese, për sa kohë jemi të qëndrimit se ndërhyrja në rastin konkret është bërë pa ligj, çka e bënte të panevojshme analizën e kritereve të tjera të ndërhyrjes në kuptim të nenit 17 të Kushtetutës.
- Shumica ka vlerësuar se “ndërhyrja në të drejtën e kërkueses në rastin konkret ka konsistuar në zbatimin praktikisht të një mase kërkimi në zyrën e saj, e shoqëruar me sekuestrim, e cila për nga mënyra e zbatimit dhe efektet e saj praktike në thelb përbën një kontroll banese për efekte të zbatimit të nenit 37 të Kushtetutës dhe nenit 8 të KEDNJ-së” (shih paragrafin 59 të vendimit). Në vlerësimin tonë, një analizë e tillë, e fokusuar thelbësisht në mënyrën e zbatimit të vendimit të sekuestrimit, e zvogëlon mbrojtjen kushtetuese të banesës dhe ambienteve që njësohen me të, në drejtim të standardit të paprekshmërisë së saj dhe mbart rrezikun që të lihet në diskrecion të organeve publike (në këtë rast të prokurorisë) mënyra e vlerësimit dhe zbatimit rast pas rasti të këtij standardi kushtetues, ashtu edhe e vlerësimit të pasojave që sjell një ndërhyrje e tillë. Ne jemi të qëndrimit se kjo qasje është e tillë që lë shteg për ndërhyrje arbitrare dhe për legjitimimin e këtyre pasojave të paligjshme që një ndërhyrje e tillë sjell ndaj të drejtave kushtetuese të individit.
- Referuar standardeve të elaboruara nga GJEDNJ-ja në drejtim të nenit 8 të KEDNJ-së, për të siguruar prova fizike për vepra të caktuara penale, autoritetet mund të konsiderojnë të nevojshme që të zbatojnë masa që përfshijnë hyrjen në një banesë private (shih Dragan Petrović kundër Serbisë, datë 14.04.2020, § 74), por këto veprime duhet të jenë “të ligjshme” (shih Bostan kundër Republikës së Moldavisë, datë 08.12.2020, §§ 21-30) dhe në përpjesëtim me qëllimin e ndjekur (shih McLeod kundër Mbretërisë së Bashkuar, datë 23.09.1998, §§ 53-57). Në kontekstin e kontrolleve dhe sekuestrimeve ligji duhet t`i ofrojë individit mbrojtje kundër ndërhyrjes arbitrare në të drejtat e mbrojtura nga neni 8 i Konventës, ai duhet të jetë mjaftueshëm i qartë për t`u dhënë qytetarëve një tregues të përshtatshëm në lidhje me rrethanat dhe kushtet në të cilat autoritetet publike janë të autorizuara të përdorin masa të tilla. Për më tepër, kontrolli dhe sekuestrimi përfaqësojnë një ndërhyrje serioze në jetën private, banesën dhe korrespondencën dhe, në përputhje me rrethanat, duhet të bazohen në një “ligj” që është veçanërisht i saktë, ndaj është thelbësore që për këtë qëllim të ketë rregulla të qarta dhe të detajuara (shih Petri Sallinen dhe të tjerë kundër Finlandës, datë 27.09.2005, §§ 82 – 90). Një urdhër kontrolli duhet të shoqërohet me kufizime të caktuara, në mënyrë që ndërhyrja që ai autorizon të mos jetë potencialisht e pakufizuar dhe për këtë arsye joproporcionale. Formulimi i një urdhri të tillë duhet të specifikojë fushëveprimin e tij (në mënyrë që të sigurohet që kontrolli të përqendrohet vetëm në veprat penale nën hetim) dhe kriteret për zbatimin e tij (për të lehtësuar kontrollin e shtrirjes së veprimeve). Një urdhër i formuluar gjerësisht, që nuk përmban informacion për hetimin ose sendet që do të sekuestrohen, nuk plotëson ekuilibrin e drejtë midis të drejtave të palëve të përfshira, për shkak të kompetencave të gjera që u jep hetuesve (shih Van Rossem kundër Belgjikës, datë 09.12.2004, §§ 44-50; Bagiyeva kundër Ukrainës, datë 28.04.2016, § 52).
- Referuar dispozitave përkatëse të KPP-së, kontrolli i vendeve (përfshirë edhe banesën) dhe sekuestrimi i sendeve/provave materiale janë dy mjete të ndryshme të kërkimit të provës që rregullohen nga dispozita të ndryshme të këtij kodi. Nenet 202-207 të KPP-së rregullojnë kushtet dhe mënyrën e kryerjes së kontrolleve, duke parashikuar se ato synojnë gjetjen e provave materiale të veprës penale ose të sendeve që i përkasin veprës penale. Si rregull, kontrollet lejohen të kryhen vetëm me vendim të gjykatës. Përjashtimisht, KPP-ja parashikon se kontrolli i vendeve mund të kryhet edhe nga OPGJ-të në rastet e mëposhtme: i) në rast flagrance ose në rast ndjekjeje të personit që është duke ikur[1]; ii) kur duhet të kryhet një ndalim, të ekzekutohet një vendim arresti ose një vendim dënimi me burgim[2].
- Për sa i përket kontrollit, neni 202/a i KPP-së parashikon se vendimi duhet të tregojë llojin e kontrollit, vendin apo banesën objekt kontrolli, provat materiale apo sendet që kërkohen, përfshirë edhe të sistemeve informatike ose telematike, arsyet që lejojnë kontrollin, si edhe autoritetin që do të kryejë atë (pikat 1 dhe 2). Ndërkohë, neni 203 i KPP-së përcakton se kur kërkohet një send i caktuar, organi procedues mund të kërkojë dorëzimin e tij dhe në qoftë se sendi dorëzohet, kontrolli nuk bëhet, me përjashtim të rasteve kur pas dorëzimit të sendit ka arsye të bazuara për të besuar se nga kontrolli mund të zbulohen gjurmë apo sende të tjera që lidhen me veprën penale (pika 1). Më tej, neni 205 i KPP-së rregullon mënyrën e kontrollit të vendeve, ndërsa neni 207 i tij rregullon sekuestrimin gjatë kontrollit. Kjo dispozitë përcakton se sendet e gjetura gjatë kontrollit sekuestrohen, me kusht që të jenë të përcaktuara në vendimin për lejimin e kontrollit, ndërsa ato që nuk përfshihen në vendimin përkatës, por që lidhen me të njëjtën vepër penale, mund të sekuestrohen duke zbatuar kriteret e nenit 301 të kodit.
- Në kuadër të procedimit penal nr. 287/2020, me vendimin e datës 28.04.2023, prokurorët e çështjes, mbështetur në nenet 208 e vijues të KPP-së, kanë urdhëruar sekuestrimin pranë zyrës së shtetases A.P. “të të gjitha dokumenteve që kanë lidhje me shoqërinë “H.” sh.p.k., si dhe të kompjuterit në të cilin mbahen të dhënat e kësaj të fundit, si dhe çdo gjë tjetër që vlerësohet me rëndësi për hetimin dhe që ofron të dhëna mbi faktin objekt hetimi”, duke ngarkuar për kryerjen e sekuestrimit tre OPGJ, hetues financiarë të BKH-së. Në datën 28.04.2023, ora 15:30, OPGJ-të janë paraqitur në zyrën ku kërkuesja ushtron veprimtarinë e saj për zbatimin e vendimit të sekuestrimit. Nuk ka asnjë kundërshtim nga palët në lidhje me faktin se vendimi i është komunikuar shtetases A.P. (ortake e vetme dhe administratore e kërkueses) dhe se ajo ka qenë e pranishme gjatë kryerjes së veprimeve nga OPGJ-të, duke nënshkruar në përfundim edhe procesverbalin e sekuestrimit të dokumenteve të mbajtur për këtë qëllim. Në këtë të fundit janë përshkruar “sendet/dokumentet e gjetura (apo të dorëzuara) nga shtetasja A.P.”. Po sipas këtij procesverbali, ai është nënshkruar rregullisht dhe pa vërejtje nga OPGJ-të dhe shtetasja A.P. (administratore e kërkueses) dhe një kopje e tij i është dhënë kësaj të fundit.
- Nga ana tjetër, nuk vihet në diskutim as ajo çka ka parashtruar subjekti i interesuar, Prokuroria e Posaçme, se në rastin konkret prokurorët e posaçëm kanë pasur bazë për të vlerësuar se kërkuesja duhet të kishte në dispozicion prova materiale apo sende që lidheshin me veprën penale dhe që ofronin të dhëna me rëndësi për hetimin dhe kanë nxjerrë vendimin e sekuestrimit duke u mbështetur në parashikimet e nenit 208, pika 1, të KPP-së.
- Në analizë të përmbajtjes së vendimit të sekuestrimit vërehet se prokurorët kanë përcaktuar qartë: (i) llojet e provave apo sendeve për të cilat kërkohej sekuestrimi (dokumente dhe sende/kompjuter); (ii) kriterin identifikues të tyre (faktin që këto dokumente ose sende duhej të kishin lidhje dhe përmbanin të dhëna për shoqërinë “H.” sh.p.k.). Po në analizë të përmbajtjes së vendimit të sekuestrimit vërehet se në vendim është përcaktuar si objekt sekuestrimi edhe “çdo gjë tjetër që ka rëndësi për hetimin dhe ofron të dhëna mbi faktin objekt të tij”. Nga ana tjetër, në analizë edhe të dinamikës së veprimeve të OPGJ-ve në zbatim të vendimit të sekuestrimit (referuar procesverbalit përkatës), rezulton të jenë sekuestruar “sendet/dokumentet e gjetura (apo të dorëzuara) nga shtetasja A.P.” dhe konkretisht: katër pajisje kompjuterike (dy laptopë dhe dy njësi qendrore); 407 dokumente shkresore (fatura tatimore, kontrata, aktmarrëveshje etj.) që lidheshin me shoqërinë “H.” sh.p.k.; katër dokumente shkresore të tjera (pasqyra financiare) që u përkisnin subjekteve juridike të ndryshme nga kjo shoqëri.
- Për sa më sipër, jemi të mendimit se, duke mbajtur në konsideratë veçoritë e këtyre dy mjeteve të kërkimit të provës (sekuestrimit dhe kontrollit), llojin e të drejtave kushtetuese mbi të cilat ato ndërhyjnë[3], si dhe shkallën e ndërhyrjes që ato passjellin mbi të drejtat kushtetuese të individëve të cilëve u drejtohen, sekuestrimi, si mjet i kërkimit të provës, duhet të bazohet në një vendim i cili përcakton në mënyrë të qartë dhe nominalisht çdo send që kërkohet të sekuestrohet. Në të kundërt, hartimi i një vendimi në mënyrë të përgjithshme çon, nga njëra anë, në pamundësinë e zbatimit të tij dhe, nga ana tjetër, krijon mundësitë për arbitraritet në zbatimin e tij nga ana e OPGJ-ve, duke lënë në diskrecionin e tyre identifikimin dhe përcaktimin e atyre provave materiale dhe sendeve që lidhen me veprën penale. Ne jemi të qëndrimit se pikërisht kjo e fundit ka ndodhur edhe në rastin konkret, ku OPGJ-të janë paraqitur në ambientet e kërkueses, i kanë vënë në dispozicion përfaqësueses së saj A.P. vendimin e sekuestrimit dhe më tej kanë hyrë në zyrën e kërkueses dhe kanë sekuestruar disa kompjuterë (katër të tillë) dhe një numër të konsiderueshëm dokumentesh, të cilat dukshëm nuk kanë lidhje me shoqërinë “H.” sh.p.k. dhe për to as nuk tregohet se ofrojnë ndonjë të dhënë me rëndësi për hetimin.
- Ne arrijmë në përfundimin e mësipërm referuar, së pari, mënyrës sesi është hartuar vendimi i sekuestrimit, i cili, dukshëm është nisur nga prezumimi i pasjes në dispozicion të kërkueses të dokumenteve, sendeve të tjera, që mund të ishin me rëndësi për hetimin dhe që mund të ofronin të dhëna për faktin objekt të tij, por pa qenë ato të përcaktuara apo të përcaktueshme në atë moment, duke nënkuptuar dhe pranuar mundësinë e hyrjes në zyrën e kërkueses dhe të kontrollit të saj, si e vetmja mënyrë që i lejonte OPGJ-të të përmbushnin detyrat e lëna nga prokurorët e posaçëm për gjetjen dhe sekuestrimin e këtyre sendeve/dokumenteve, pra për të ekzekutuar vendimin. Edhe në analizë të fakteve të ndodhura në datën 04.2023, siç janë përshkruar në vendimin e Gjykatës, kur OPGJ-të janë paraqitur në zyrën e kërkueses, është arritur në mënyrë të paekuivoke në përfundimin se në rastin konkret ka pasur de facto një kontroll dhe jo një ekzekutim të një vendimi sekuestrimi, i cili realizohet vetëm përmes dorëzimit vullnetar të sendeve/dokumenteve të identifikuara në mënyrë të qartë dhe të saktë në vendimin që kërkohet të ekzekutohet nga personi të cilit i komunikohet ai. Për më tepër kur, siç është arsyetuar edhe në vendimin e Gjykatës, fakti se përfaqësuesja A.P. e kërkueses i ka lejuar OPGJ-të të futen në zyrë apo se ajo ka bashkëpunuar me ta, duke iu ofruar edhe një post pune dhe kompjuter për përpilimin e procesverbalit të sekuestrimit, nuk mund të interpretohet si dhënie pëlqimi edhe për lejimin e tyre për të kërkuar, për sa kohë që heqja dorë nga një e drejtë themelore duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë, duke u bërë me njohuri të plotë të fakteve, pra në bazë të pëlqimit të informuar, të qartë dhe të dhënë pa asnjë detyrim/shtrëngim (shih paragrafët 60 dhe 62 të vendimit).
- Edhe pse nuk vihet në diskutim qëllimi që kanë në kuadër të procedimit penal të tilla masa, ato nuk mund të justifikojnë çdo ndërhyrje apo t`u japin autoriteteve kompetente një liri të pakufizuar në ushtrimin e kompetencave të tyre. Në këto kushte, mënyra sesi është hartuar në rastin konkret vendimi i sekuestrimit, duke konsideruar edhe faktin se administratorja e kërkueses (shtetasja A.P.) nuk ka hequr dorë nga e drejta kushtetuese për paprekshmërinë e zyrës, si ambient i njësuar me banesën, pra nuk ka pranuar në mënyrë të shprehur ushtrimin e një kontrolli pa një vendim gjykate, kjo edhe në mungesë të njoftimit të saj mbi të gjitha të drejtat që i garantohen nga legjislacioni procedural penal dhe pasojat e heqjes dorë prej tyre, vendimi i sekuestrimit ka përbërë në thelb një vendim kontrolli, që, për efekte të zbatimit të nenit 37 të Kushtetutës dhe nenit 8 të KEDNJ-së, mund dhe duhej të ishte miratuar vetëm nga gjykata dhe jo nga prokurori, si në rastin konkret.
- Nga ana tjetër, ne nuk ndajmë të njëjtin qëndrim me shumicën edhe në drejtim të përfundimit të saj se për sa i përket ekzistencës së rrezikut të afërt për humbjen ose zhdukjen e sendeve dhe dokumenteve që përmbanin të dhëna me rëndësi për hetimin, që do të legjitimonte kontrollin pa vendim gjykate, ajo nuk shprehet për sa kohë gjykatat e zakonshme nuk e kanë vënë në diskutim interpretimin dhe zbatimin e ligjit procedural për këtë aspekt (shih paragrafin 75 të vendimit). Në vlerësimin tonë shumica duket se ka dashur të shmangë vlerësimin e aspektit të kufizimit me ligj, duke e trajtuar atë nën aspektin e proporcionalitetit të ndërhyrjes, për sa kohë që është nisur të bëjë një vlerësim in abstracto të parashikimeve ligjore, duke nxjerr në pah kështu, formalisht, një bazë ligjore që lejon ndërhyrje në banesë edhe pa vendim gjyqësor, ndërkohë që jo vetëm asnjë nga palët në gjykimin kushtetues nuk i ka bazuar qëndrimet mbi një hipotezë të tillë, por as ajo vetë (shumica) në përfundim nuk e ka bazuar qëndrimin e saj në një analizë të tillë të ndërhyrjes. Nga ana tjetër, edhe pse Gjykata në vlerësimin e ankimeve kushtetuese individuale niset edhe nga vendimet e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, një mungesë arsyetimi nga këto të fundit nuk e shmang vetë Gjykatën nga përgjegjësia dhe kompetenca për të verifikuar nëse veprimet e autoriteteve publike janë kryer në përputhje me ligjin dhe nëse ato kanë sjellë kufizim antikushtetues të të drejtave themelore të individit.
- Thelbi i kësaj çështjeje, për rrjedhojë edhe argumentet e palëve, ka qenë nëse është kryer de facto kontroll ose jo në ambientet e kërkueses dhe jo nëse kontrolli i pranuar i kryer ka pasur si justifikim urgjencën për të vepruar të autoriteteve publike. Edhe vetë subjekti i interesuar, Prokuroria e Posaçme, pavarësisht se i kaloi barra e provës në këtë gjykim, për sa kohë nuk ka pretenduar se OPGJ-të ishin ndodhur në kushtet e kontrollit me iniciativë, për shkak të urgjencës së rastit, përkundrazi e ka kundërshtuar këtë pretendim të kërkueses, ai nuk ka sjellë prova se veprimet e OPGJ-ve janë bazuar në dispozitat procedurale që lejojnë përjashtimisht kontrollin pa vendim gjykate. Si gjatë procesit gjyqësor, ashtu edhe në atë kushtetues, ky subjekt ka pretenduar se nuk ka pasur kontroll, por vetëm ekzekutim të një vendimi sekuestrimi, miratimi i të cilit është në kompetencë të prokurorit, procedurë në të cilën, sipas këtij subjekti, përfaqësuesja e kërkueses ka qenë e pranishme dhe ka pranuar veprimet, duke bashkëpunuar me organin procedues. Në këto kushte, në vlerësimin tonë, ishte e panevojshme që Gjykata të ndalej në një vlerësim të tillë.
- Për sa më sipër, ne jemi të qëndrimit se çdo veprim i kryer pas hartimit dhe miratimit të vendimit të sekuestrimit të prokurorëve të posaçëm përbën ndërhyrje në zyrën e kërkueses pa vendim gjyqësor, pra pa ligj në kuptim të përmbajtjes së neneve 17 dhe 37 të Kushtetutës, çka bie ndesh me garancitë e ofruara nga këto norma kushtetuese.
- Në këto kushte ne jemi të qëndrimit se mosrespektimi i këtij kriteri e bënte të panevojshëm verifikimin e kritereve të tjera të ndërhyrjes në kuptim të nenit 17 të Kushtetutës dhe kërkesa duhej të ishte pranuar vetëm për këtë shkak.
A N Ë T A R A N Ë T A R E K R Y E T A R E
/Genti Ibrahimi/(d.v.) /Sonila Bejtja/(d.v.) /Holta Zaçaj/(d.v.)
Vërtetohet njësia me origjinalin
SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
Eugen PAPANDILE
Duke zbatuar rregullat e caktuara në nenin 298, pika 1, të KPP-së kur kanë arsye të bazuara të mendojnë se mbi personin gjenden të fshehura sende ose gjurmë të veprës penale që mund të zhduken a të humbasin.
Duke zbatuar rregullat e caktuara në nenin 298, pika 2, të KPP-së.
Ndërsa kontrollet tipikisht shkaktojnë ndërhyrje në të drejtën për paprekshmëri të banesës, sekuestrimet tipikisht shkaktojnë ndërhyrje në lirinë dhe fshehtësinë e korrespondencës dhe të drejtën për jetë private.
BalkanWeb