Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka folur gjatë Konferencës së Kryetarëve për vonesat në raportimin e institucioneve të pavarura.
Ajo theksoi se vonesat ndodhin, për shkak të pengesave nga komisioni i Fatmir Xhafajt. Zhupa kritikoi idenë që komisioni i Xhafajt të jetë komisioni kryesor.
“Ju u bëtë pengesë që të mos t’i bënim në kohën e duhur në muajt post zgjedhjeve, sepse mesa duket kishit bërë plan që komisionin tuaj i njëanshëm Xhafaj, do e bënte komision të përhershëm mbi gjithë komisionet”, tha ajo.
Fjala e Ina Zhupës në Konferencën e Kryetarëve:
Raportimi i institucioneve të pavarura është me shumë vonesë. Do i miratojmë në tetor, që t’i zbatojmë deri në dhjetor. Kjo sepse ju u bëtë pengesë, që mos t’i bënim në kohën e duhur në muajt post zgjedhjeve, sepse mesa duket kishit bërë plan që komisionin tuaj të njëanshëm Xhafaj do e bënit komision të përhershëm, për ta bërë mbi gjithë komisionet. Me këtë logjikë, bëjeni kuvendin me një komision, komisionin Xhafaj dhe gjithë të tjerat kthejeni nënkomisione.
Ta quajmë edhe kryetar Kuvendi, meqë do i drejtoj gjithë komisionet dhe Peleshin le ta quajmë zv kryetarin e Xhafaj.
Ju do mbani qëndrimin që: Kur e kemi zbatuar ne rregulloren e Kuvendit, që ta zbatojmë sot? Patjeter këtu keni të drejtë, s’e keni zbatuar kurrë rregulloren, por nuk do të thotë që ne duhet ta pranojmë këtë metodë të funksionimit të parlamentit.
Sipas rregullores, çdo deputet mund të marrë pjesë në çdo mbledhje të çdo komisioni, kështu që z.Xhafaj dhe deputetët e tij të vijnë në mbledhjet e bëra për raportimin, nuk i ndalon njeri. Por në asnjë mënyrë, që Fatmir Xhafaj të jetë mbi kryetarin dhe të kalojë çdo raportim. Meqenëse Balla thotë se monitorimi dhe mbikqyrja do jetë nga komisioni Xhafaj, i përditshem, i përjavshëm, i përmuajshëm, atëherë mbajeni ashtu dhe raportimet vjetore duhet t’i vazhdoi t’i bëjë komisioni përgjegjës.
BalkanWeb