Zgjedhjet në Tiranë, Tabaku: Gjitha forcat opozitare të nxjerrin një kandidat. Pala tjetër nuk sjell asgjë të re

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, e ftuar në News24, e pyetur se kë do të nxjerrë opozita si kandidat në Tiranë, u shpreh se uron që gjitha forcat opozitare të bëhen bashkë dhe të nxjerrin një kandidat.

Sipas saj, pala tjetër, pavarësisht se mund të ndryshojnë emrin e kandidatit për bashkinë më të madhe në vend, në thelb ofron të njëjtin model.

“Ish-kryetari i bashkisë e ka nisur në Gjykatën Kushtetuese çështjen dhe uroj mos të shpallet një datë zgjedhjesh, pa u zgjidhur çështja e ish-kreut të Bashkisë së Tiranës. Ne si PD, kemi një proces, që do të zgjedhë një kandidat. Nëse ata duan të zëvendësojnë Veliajn me dikë tjetër, kjo nuk ka rëndësi. Ata janë gjithë në të njëjtin sistem. PD është e aftë të sjellë një model krejt ndryshe. Ne si PD, Kërkonim të dëgjonim Veliajn për transparencë. Ai është akuzuar për korrupsion, për gjëra, që tregojnë qartazi sistemin qeverisës. Fatin e Erion Veliajt e vulosi Edi Rama, me vendimin që mori, dhe vuri në punë Këshillin Bashkiak Tiranë. Është shumë e vështirë ta mundësh këtë sistem, por është e mundur. Ka rëndësi që gjitha forcat opozitare të dalin me një kandidat”, tha Tabaku.

Më tej, Tabaku vlerësoi se PS nuk ka prioritet integrimin në BE, por ndarjen e pasurisë.

“E paprecedentë që Kuvendi nis pa raportimin e institucioneve të pavarura. Legjislatura nisi edhe pa debat për programin dhe kjo është jashtë logjike. Kanë krijuar Komision për monitorim komisionesh, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kjo është qeveri e re, me probleme të vjetra. Përgjegjësitë për tenderat publikë janë më “lart” sesa procedurat e aty për aty-shme. Për PS-në, s’është prioritet integrimi, por ndarja e pasurive. Nuk shoh vullnet nga qeveria, për të ndryshuar realitetin e vendit. Edhe ndarjet në parlament janë bërë sipas asaj që dëshiron mazhoranca, edhe Komisioni i Integrimit nuk i është lënë opozitës, që më herët e ka drejtuar. PD është e angazhuar për integrimin në BE dhe duam të mbrojmë Kushtetutën. PD kërkon zgjedhje të parakohshme në çdo moment. Zgjedhjet kanë pikëpyetje tepër të madhe, sepse ODIHR kishte raport paraprak shumë problematik”, deklaroi Tabaku.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×