Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, takim me Dumanin, diskutime mbi bashkëpunimin me SPAK dhe luftën ndaj korrupsionit

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, zhvilloi sot një takim me drejtuesin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ku u ripohua angazhimi për bashkëpunim të ngushtë dhe konstruktiv ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe SPAK-ut.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Prezenca e OSBE-së në Tiranë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku theksohet mbështetja e vazhdueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në vend.

Gjatë takimit, ambasadori Tarran vlerësoi rolin kyç të SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e integritetit, transparencës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ai veçoi gjithashtu kontributin e SPAK-ut në adresimin e krimeve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.

Tarran dhe Dumani diskutuan edhe mbi fushat aktuale dhe të ardhshme të bashkëpunimit, duke shkëmbyer ide për mënyrat konkrete në të cilat OSBE mund të ofrojë mbështetje më të drejtpërdrejtë dhe të përshtatur ndaj objektivave strategjikë të SPAK-ut.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte përqindja e lartë e të paraburgosurve në Shqipëri, për të cilën ambasadori Tarran shprehu gatishmërinë e OSBE-së për të bashkëpunuar me një gamë të gjerë institucionesh në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.

Në vijim, Prezenca e OSBE-së po përgatit një program të ri trajnimi që synon parandalimin e pastrimit të parave, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në hetime të ndërlikuara, duke thelluar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×