Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kritikuar refuzimin e mocionit për debat, mbi gjenocidin serb në Kosovë.
Sipas tij, kërkesat e opozitës janë hedhur poshtë dhe Qeveria e Shqipërisë po mbështet një agjendë antishqiptare. Blushi akuzoi kryeministrin se ka mbështetur ndarjen e Kosovës dhe ka pasur qëndrime të pabesueshme, teksa ka quajtur edhe veriun e Kosovës “tokë të askujt”.
Ai gjithashtu theksoi se Qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë përpjekje serioze për të rritur njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi: Mocioni për debat për gjenocidin serb në Kosovë u refuzua. U refuzuan kërkesat e opozitës. PS është rikthyer në vitin 1941. Dëgjuam emisarë jugosllavë, ku kryeministri ka mbështetur ndarjen e Kosovës, një kryeministër që veriun e Kosovës e ka cilësuar si tokë të askujt. Është e pabesueshme, që mazhoranca mbështet agjendë antikombëtare, që ka bërë çdo gjë për të mbështetur kauzën antikombëtare. Qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze, për të shtuar njohjen për Kosovën.
BalkanWeb