Gazetari Osman Stafa siguron raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për barnat në Spitalin Onkologjik. Raporti i është dorëzuar javën e shkuar drejtorisë së QSUT-së. KLSH ka audituar periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, ku thekson se një numër shumë i madh barnash antitumorale kanë munguar në periudha të gjata. Kjo, sipas raportit, ka sjellë që një numër gjithashtu i madh pacientësh të kalojnë një situatë të vështirë dhe rrezikun për jetën e tyre.
Në dokumentin e siguruar rezulton një skandal i rëndë, ku në sistemin e brendshëm të Farmacisë Qendrore, i quajtur Pentaho, kanë rezultuar 2 medikamente kimio të skaduara.
Pacientët me kancer gjaku, sipas raportit, vuajnë mungesën e barit daratumumab, për të cilin QSUT edhe në vitin 2025 ka bërë një furnizim prej 4000 mijë flakonesh, por përsëri për pacientët rezulton se nuk ka, duke hedhur dyshime për keqmenaxhim.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Shqipëria, nga 253 barna antitumorale, 116 nuk janë importuar, ose e përkthyer ndryshe: nga viti 2021–2025, 46% e kimioterapive nuk kanë hyrë në Shqipëri.
Sa i takon barit “Actinomycin”, raporti thotë se drejtoria e QSUT nuk ka asnjë kontratë aktive për importimin e këtij medikamenti. Gjithashtu, edhe për barin tjetër, Phesgo, i cili përdoret për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit, thuhet se në kohë të caktuara, gjendja në farmacinë qendrore ka qenë zero.
Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit vë theksin se barnat onkologjike janë të nënfinancuara nga shteti shqiptar, duke rritur rrezikun e mostrajtimit siç duhet dhe kur duhet të pacientëve me kancer.
BalkanWeb