Partia Demokratike po përshpejton ritmin e takimeve me aleatët e saj për të gjetur një emër që do të sfidojë kandidates së Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, në garën për Bashkinë e Tiranës. Burime për “News24” bëjnë me dije se grupi negociator i opozitës ka zhvilluar një sërë bisedimesh me partitë e opozitës.
Sipas të njëjtave burime, një ditë më parë demokratët janë ulur në tavolinë me Endri Shabanin e “Nismës Thurje” dhe me Adriatik Lapajn nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, në takime të ndara nga njëri-tjetri. Objektivi, sipas negociatorëve, është të testojnë terrenin për një figurë të pranueshme që mund të garantojë unitet opozitar dhe të sfidojë realisht kandidaturën socialiste.
Në këtë kuadër, pritet një takim edhe me ish-deputetin demokrat Agron Shehaj, i cili tashmë përfaqëson partinë e re “Mundësia”. Burime pranë tij i thanë “News24” se Shehaj ka kushtëzuar çdo diskutim me faktin që kandidati i opozitës duhet të vijë nga jashtë strukturave politike, në mënyrë që të ketë një profil të pastër publik dhe shanse më të mëdha për fitore.
Gjithashtu, demokratët do të zhvillojnë një raund tjetër bisedimesh me Shpëtim Idrizin, kreun e PDIU-së, e cila në Tiranë përfaqësohet aktualisht nga një deputet.
Megjithëse takimet janë mbajtur në dyer të mbyllura dhe pa deklarata publike, burime nga selia blu konfirmojnë se procesi i përzgjedhjes është drejt fazës përfundimtare.
BalkanWeb