Teksa afrohet data e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, debati për kandidatët e mundshëm të opozitës po bëhet gjithnjë e më i nxehtë. Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka hedhur dritë mbi zhvillimet më të fundit brenda Partisë Demokratike dhe radhëve të opozitës së bashkuar, duke përmendur dy emra që aktualisht po diskutohen seriozisht si kandidatë potencialë.
Sipas Toskës, Partia Demokratike nuk ka ende një kandidat të gatshëm për të marrë përsipër garën për Tiranën, ndërsa opozita po përpiqet të gjejë një figurë gjithëpërfshirëse.
“Ka pasur propozime për figura nga shoqëria civile,” tha Toska, duke përmendur emrin e profesor Ermal Hasimjas, megjithatë ai u shpreh skeptik për pranueshmërinë e tij nga strukturat e PD. Një tjetër emër që është përmendur në këtë kontekst është Edlira Çepani, për të cilën gazetari u shpreh se “do të ishte e denjë për këtë garë”, duke kujtuar edhe përfshirjen e saj në çështje publike.
Megjithatë, fokusi kryesor mbetet te dy emrat më të përfolur aktualisht: Ilda Zhulali dhe Gjergj Bojaxhiu. “Ata janë më të mundshmit për të qenë kandidatë,” tha Toska, por shtoi se ende nuk është e qartë nëse do të pranohen nga forumet drejtuese të PD-së dhe aleatët e saj.
Gazetari la të hapur edhe mundësinë që asnjëri prej këtyre emrave të mos jetë kandidati përfundimtar, duke theksuar se procesi i përzgjedhjes mbetet ende në zhvillim.
Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës pritet të mbahen më 9 nëntor, sipas dekretit të publikuar së fundmi nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
BalkanWeb