Barbara Doda, përfaqësuese e partisë “Mundësia”, e ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, ka folur për domosdoshmërinë e bashkimit të opozitës dhe përzgjedhjen e një kandidati të denjë përballë Ogerta Manastirliut në zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Tiranës.
Doda vlerësoi se momenti politik është kritik dhe kërkon një ndryshim të thellë, jo vetëm në emra, por edhe në modelin e qeverisjes lokale.
“Tirana është një pushtet shumë i madh dhe për herë të parë kemi një kryetar bashkie kaq të pushtetshëm si Erion Veliaj, që u arrestua në zyrën e tij,” tha Doda, duke iu referuar situatës së pazakontë që ka përfshirë administratën e kryeqytetit.
Sipas saj, opozita duhet të dalë me një figurë që i jep qytetarëve shpresë dhe besim, duke u distancuar nga modelet e së kaluarës.
“Duhet të kemi kandidatin ideal, ndryshe nga ajo që qytetarët kanë parë më parë me Veliajn. Bashkia ka nevojë të ndërrojë faqe,” tha ajo.
Ajo theksoi se sfida e Tiranës nuk duhet parë thjesht si betejë politike, por si mundësi për të kthyer bashkinë nga një institucion i akuzuar për korrupsion, në një administratë që përfaqëson qytetarët e ndershëm.
“Nga një historik si bashkia më e korruptuar, Tirana ka nevojë të drejtohet nga një njeri që nuk ka nevojë të vjedhë dhe që përfaqëson jo vetëm partitë opozitare, por edhe votën opozitare,” deklaroi Doda.
Megjithatë ajo u shpreh se bashkëpunimi me PD mund të vijë si një bumerang për “Mundësinë”.
“Bashkëpunimi është me kosto edhe për ne, bashkëpunimi me PD, një parti të vjetër mund të na vijë si bumerang. Ideja për një kandidat jo politik ka qenë muaj më parë”, u shpreh ajo.
BalkanWeb