Vetting/ Tenderat për librat braille, miliona lekë të shpërdoruara te qendra “Ramazan Kabashi”. Cilësia e teksteve skandaloze

Vjolanda Peca, Armand Kullau | Vetting, News24

“Pafund” tendera për letrën braille, por cilësia e librave skandaloze
Arsimi është një e drejtë themelore e njeriut dhe duhet të sigurohet për çdo fëmijë në mënyrë të barabartë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenet 57 dhe 59, përcakton qartë se shteti garanton arsimimin për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë. Brenda këtij kuadri përfshihen edhe fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët kanë të drejtë të ndjekin arsim të përshtatur sipas nevojave të tyre.

Në qendrën Burimore “Ramazan Kabashi” duket se po harrohet arsyeja pse është ngritur tërë kjo strukture, që është edukimi dhe integrimi i fëmijëve që hasin vështirësi në shikim. Kjo sepse prodhimi i librave braille ose për personat që nuk shikojnë në gjithë Shqipërinë prodhohen nga Qendra Burimore “Ramazan Kabashi”.

“Braille edhe pse është shpikur herët akoma mbetet një gjë e rëndësishme dhe e pazëvëndësueshme në aspektin e fëmijërisë dhe të të nxënurit.” -u shpreh për “Vetting” Presidenti i Shoqatës së të Verbërve Jonit Ferhati.

Për t’u kthyer disa vite pas në kohë, në vitin 2016 Zvicra financoi përmirësimin e kushteve në qendrën Burimore “Ramazan Kabashi” dhe nëpërmjet Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), e cila zbatoi projektin, u ndërtua një laborator modern për prodhimin e librave në braille të pajisur me të gjitha mjetet për shtypjen ose gdhendjen e literaturës akademike, një studio e rinovuar për regjistrimin e librave dhe muzikës në audio.

Nëpërmjet burimeve konfidenciale, gazetarëve të “Vetting” iu vunë në dispozicion 2 nga librat që përdoren nga nxënësit që nuk shikojnë.

“Sa i përket librit të Gjuhës dhe Letërsisë, kemi një problem që Braille është i shkruar korrekt por rreshtat nuk janë të vendosur. Nëse hapim një libër duke iu referuar dhe tek librat me shkrim të zakonshëm, me stilolaps lexohet në këtë lloj forme (nga e majta në të djathtë). Nëse do duhet që një person i verbër të lexojë në këtë libër do lexojë kështu (nga poshtë lart, duke rrotulluar librin).

Nëse zhvendosemi në faqen pasardhëse, kjo punë vështirësohet dhe duhet që leximi të kryhet sërish në këtë pozicion (duke rrotulluar librin 180 gradë)”, u shpreh kreu i Shoqatës së Verbërve teksa lexonte librat në braille.

Ky institut, i cili është kthyer në qendër burimore ka për qëllim të mbështesë arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke përmirësuar në vijimësi rezultatet e të nxënit.

Por si mundet një institucion të ndihmojë kur nuk i’a del as për veten të plotësojë kriteret minimale si kurrikula cilësore?

I pyetur për problemet me dy libra në shkrimin braille, Drejtori Lule nuk e mohoi që mund të ketë gabime, duke ia kaluar përgjegjësinë shtëpive të tjera botuese.

Gazetari Armand Kullau: Cilat janë arsyet, pse librat në tekstin Braille kanë gabime në shtyp? Konkretisht, “Gjeografia 9 – pjesa 3” dhe “Gjuha Shqipe 9 – pjesa 3” kanë vendosje të gabuar në faqe.

Emiliano Lule: Ne nuk kemi të drejtë të ndryshojmë kurrikulën. Ne i marrim PDF- të nga shtëpitë botuese dhe thjesht i kthejmë në kodin braille. Prandaj, nëse gabimi ka qenë në librin origjinal, ai mund të ekzistojë. Nuk ka asnjë gabim. Unë nuk i kam lexuar librat nga fillimi në fund sepse e kam përfunduar njëherë këtë shkollë, por sipas informacioneve që kam, asnjë libër nuk ka gabime. Do ta verifikoj pjesën 3 dhe do t’ua dërgoj me video.

Gazetarët e “Vetting” i kërkuan intervistë z. Emiliano Lule dhe ballafaqim për librat në shkrimin braille.

Fillimisht Drejtori Lule pranoi ballafaqimin, por më vonë refuzoi sepse sipas tij nuk kishte leje nga Ministria.

Sipas Presidentit të Shoqatës të të Verbërve në Shqipëri Jonit Ferhati, institucioni “Ramazan Kabashi” në përgjegjësi nuk ka vetëm nxënësit, por edhe ata që ndjekin gjimnazin apo fëmijë të tjerë që nga e para deri në të 12-n.

“Duhen parë resurset reale a janë të mbuluar të gjithë fëmijët në shkolla normale me tekste. Ne kemi raste që na kanë kërkuar të bëjmë botimet në shoqatë para një viti e gjysmë ose dy. U kemi kërkuar shtëpive botuese dhe Ministrisë, botimin elektronik që të kishim mundësi ta editonim për t’ua ofruar familjeve. Na kanë thënë që janë përgjegjësi e institutit dhe nuk kemi pse t’jua japim.”- tha z. Ferhati.

Sipas dokumentit të auditit që “Vetting” zotëron, një ndër procedurat e shumta me objekt “Blerje letër speciale Braille”; me fond limit 1 milion lekë ka pasur probleme përsa i përket mënyrës sesi është zhvilluar.

Më 6 mars 2024 me urdhër të Drejtorit Lule ka filluar procedura e prokurimit e cila ka bashkëlidhur edhe ftesën për oferte pa datë dhe pa numër protokolli, e cila gjithashtu nuk është firmosur nga anëtaret e komisionit për blerjet e vogla, por është firmosur vetëm nga drejtori i Qendrës Burimore.

Bazuar në ankesat e denoncuesve për problematikat e shumta që librat braille shfaqnin vendosëm të kërkonim tenderat e dhënë enkas për këtë shërbim nga Instituti për nxënësit që nuk shikojnë. Sipas Agjencisë së Prokurorimit Publik vetëm brenda vitit 2025 Instituti i nxënësve që nuk shikojnë ka pasur si Objekt prokurimi Blerje Leter Speciale Braille me fond 1 milionë lekë të vjetra, Shërbim përditësimi i programeve Braille e po të njëjtin fond dhe Riparim për shtypjen të librave në tekstin Braille.

“Kanë ndryshuar kohërat. Në atë kohë që ishim ne kishim dhe atë pllakën, ka pasur dhe makinë shkrimi”, tha qytetari Gazi Dani.

I pyetur në lidhje me konkluzionet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkeljet që kryer vetë Drejtori Lule për tenderat, ai kundërshtoi gjetjet nga auditi.

Gazetari Armand Kullau: Përsa i përket çështjes së tenderave, për çështjen që nuk keni përmbajtur protokolle, procesverbale, jnë dokumente zyrtare që vinë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nëse keni ndonjë koment tjetër për të shtuar, jeni i lutur ta ofroni.

Drejtori: Të gjithë dokumentacioni që ju po përmendni në këtë pyetje, është i gjithi i protokolluar në arkivën e institucionit që unë drejtoj. Dhe gjithsecili në bazë të ligjit të informimit, është i drejtë, ta marrë e ta verifikojë këtë material.

Gazetari Armand Kullau: Pra, që të dalim te konkluzioni i auditimit. Ka një sërë mangësish organizative, proceduriale dhe dokumentuese. Gjithashtu nuk dokumentohet marrja e produkteve për kontratat që ju keni bërë me, nga operatori i blerjeve të përqendruara, konkretisht për ushqimet.

Drejtori: Të gjitha janë të dokumentuara, nuk e kam shumë të qarte se për çfarë e ke fjalën…

Gazetari Armand Kullau: Kontrolli i Lartë i Shtetit, ta citoj. “Mungojnë gjurmët e auditimit”… Drejtori: Kontrolli i Lartë i Shtetit..nuk…nuk e kam…ku në cilën pikë, ma lexo pak.

Gazetari Armand Kullau: “Mungojnë gjurmët e auditimit për proceset kryesore të veprimtarisë dhe vendimmarjes të qendrës burimore”, që ju drejtoni.

Drejtori: Po nuk e kuptoj këtë fjalinë, mund të jetë shkruar gabim. Nuk e di. Të gjitha materialet që unë kam në arkivë janë të gjitha sipas ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. Të gjitha të protokolluara. Nëse nuk ka ditur njeri t’i lexojë siç duhet, është çështje e tyre.

Rënia e numrit të nxënësve, a është drejt mbylljes INNSH?
E pozicionuar gjeografikisht në qendër të Tiranës ky institucion përbëhet nga dy godina dhe një oborr të vogël. Në godinën e parë ndodhet administrata, zyra e drejtuesit Emiliano Lule dhe konvikti i nxënësve ndërsa në godinën e dytë ndodhen klasat e nxënësve, salla e mësuesve dhe dy tualete. Por, godina duket se nuk i plotëson të gjitha kushtet për t’ua lehtësuar fëmijëve me vështirësi në shikim përditshmërinë.

Pas një monitorimi nga afër të institutit “Ramazan Kabashi” Avokati i Popullit është shprehur që nëpër klasat e fëmijëve viheshin re shenja të lagështirës. Kjo, për fëmijët që kanë probleme me shikimin është dyfish shqetësuese për shkak se shqisat e tjera si nuhatja janë më të forta duke ua vështirësuar përqëndrimin në orët e mësimit.

Gjithashtu në tualetet e po kësaj godine nuk ka shirita dhe mbajtëse për fëmijët me vështirësi shikimi. Duke qenë se shkolla ka karakter rezidencial, fëmijët që qëndrojnë aty duhet të kenë mundësinë për t’u socializuar, për të luajtur dhe argëtuar me njëri-tjetrin, por shkolla nuk ka palestër dhe oborri i vogël e i paasfaltuar e zvogëlon mundësinë që këta fëmijë t’a kalojnë ditën me njëri-tjetrit.

“Oborri është i pashtruar. Të shkosh nga konvikti për fëmijët e Tiranë që vijnë në shkollë aty nuk shkon dot pa bërë këmbët gjithë ujë”, shprehet ish-punonjësja që ka pasur stausin kujdestare konvikti.

Instituti “Ramazan Kabashi” është institucioni i vetëm shtetëror në Shqipëri i specializuar për trajtimin e fëmijëve të verbër dhe atyre me shikim të pjesshëm. Nxënësit e institutit ndjekin programin e shkollës 9-vjeçare të zakonshme, i cili plotësohet me lëndë të posaçme si shkrimi Braille, shkrim të zmadhuar sipas nevojave dhe metoda të tjera didaktike të përshtatura për këta fëmijë.

Instituti funksionon nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me misionin të ofrojë arsim cilësor të përshtatur për nxënësit e verbër dhe ata me shikim të pjesshëm. Për nxënësit që vijnë nga rrethet, ofrohet shërbim konvikti, ku një ekip i specializuar kujdeset për mësimin, jetesën dhe mbështetjen e tyre gjatë gjithë kohës. Por, a po priren prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë qendër me qëllim marrjen e shërbimi të nevojshëm? “Për aq kohë s’kam qenë unë nuk ka pasur kënd lojrash ku fëmijët të lozin të lirshëm duke qenë se fëmijët nuk shikojnë”, tha denoncuesja.

Në këtë qendër për vitin shkollor 2023-2024 janë regjistruar 38 nxënës në sistemin parauniversitar dhe 2 në parashkollor. Por denoncuesja, ish-punonjëse në këtë institucion, shprehet se aktualisht ka vetëm 12 nxënës rezidentë dhe drejtuesit gënjejnë për të marrë më shumë fonde dhe për të ruajtur statusin e tyre si drejtorë dhe nëndrejtorë.

“Aktualisht që flasim, është shifër e saktë, janë vetëm 12 konviktorë. E theksoj, konviktorë rezidentë 24/24 sepse fëmijët që janë online nuk hanë, nuk lahen dhe nuk konsumohet asgje aty”, shprehet ish-kujdestarja e konviktit të institutit të nxënësve që nuk shikojnë. Institucione të tilla ngrihen me synimin e vetëm që t’u mundësojnë fëmijëve që kanë vështirësi, disa lehtësira në përditshmërinë e tyre.

Por ndër vite duket se familjarët e fëmijëve që kanë vështirësi në shikim zgjedhin të mos i dërgojnë në Institutin e nxënësve që nuk shikojnë.

“Emiliano Lule e ka pohuar dhe në gjyq, sepse unë jam në një gjyq me Emiliano Lulen, e ka pohuar në sallën e gjyqit që janë 50 fëmijë. Emiliano Lule mund të gënjëj këdo por jo mua që kam punuar aty. As edhe me ata fëmijë që janë online nuk i bën dot 50 fëmijë. Për ata 50 fëmijë që Emiliano thotë, merren të gjitha fondet për ushqimin, veshmbathjen fondet për ilaçet, të gjithë donatorët që futen shkojnë për 50 fëmijë”, u shpreh znj.Marku.

Shohim që ligjet për kategoritë e margjinalizuara nuk ndryshojnë duke i lënë në vendnumëro qytetarët që kanë më shumë nevojë për ndihma financiare dhe hapësira ku mund të integrohen dhe të ndihen njëjtë si të tjerët. Gazi Dani, një qytetar i verbër i grupit të dytë tregon haptazi vështirësitë që hasin të verbërit në Shqipëri sot.

“Ti mund të shkruash ligje e zeza mbi të bardhë por varet sa e zbaton. Shkelen me të dyja këmbët ligjet.”- u shpreh Gazi Dani.

Në atë kohë Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale me një vendim të datës 18.06.1997 vendosi që masa e përfitimit për shkak të verbërisë është 9 mijë e 800 lekë dhe kjo masë do indeksohej sipas indeksit të cmimeve të konsumit. Kanë kaluar plot 28 vite dhe sot, kjo masë ka shkuar deri në 14 mijë lekë. A është kjo shumë e mjaftueshme?

“Përsa i përket pagesave arrin njësoj, grupi i parë dhe grupi i dytë. Por te grupi i parë merr pagesë dhe shoqëruesi, 143 mijë lekë të vjetra është. Nuk është e mjaftueshme sepse unë nuk e quaj rritje këtë pjesë që është bërë nga qeveria Shqiptare. me dymijë lekësha të vjetra, me tremijë lekësha, nuk është rritje ajo.” – tha z.Dani.

Rasti me drejtorin e institutit të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi” është një model në miniaturë i presionit financiar dhe psikologjik që përballet administrata publike në Shqipëri.

Anashkalimi i ligjit apo shkelja e tij nga drejtuesit e administratës publike janë një simptomë e një shteti të degraduar, që me anë të pushtetit politik ka centralizuar pushtetin në duart e personave që e shpërdorojnë atë.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×