Aksioni i SPAK/ Lala zbardh skemën e tjetërsimit në Durrës: Pronat regjistroheshin në emër të fshatarëve, më pas u kalonin bosëve të kazionve dhe…

Gazetarja e njohur, Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka zbuluar detaje tronditëse në lidhje me aksionin e fundit të SPAK në Durrës, që lidhet me një skemë të sofistikuar të tjetërsimit të pronave në zonën e Lalëzit dhe rreth saj.

Sipas Lalës, bëhet fjalë për një hetim që ka zbuluar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm një skemë masive falsifikimi dokumentesh dhe përvetësimi të tokave publike dhe private, në njërën prej zonave më të lakmuara për zhvillim turistik në vend, ku sot sipas saj ndërtohen resorte që kapin vlera deri në 100 apo 110 milionë euro.

“SPAK ka zbuluar një skemë të mirëorganizuar, ku persona të caktuar, me ndihmën e zyrtarëve të lartë të Kadastrës dhe institucioneve shtetërore, falsifikonin dokumentet e pronësisë, i regjistronin në emra fshatarësh të thjeshtë, për të kaluar më pas në emër të biznesmenëve apo kompanive të fuqishme”, u shpreh gazetarja.

Sipas saj, grupet kriminale kishin krijuar lidhje të forta brenda Hipotekës dhe Kadastrës. Ata fshinin fletët ekzistuese të pronësisë, krijonin dokumente të reja të falsifikuara dhe i regjistronin si të ligjshme, shpesh duke i kategorizuar pronat pyjore si tokë bujqësore me qëllim që më pas të mund të legalizoheshin ndërtimet.

Një element kyç në këtë skemë ishte përdorimi i “sekserëve” nga veriu i vendit, të cilët ndihmonin në kalimin fiktiv të pronave në emra qytetarësh të painformuar, për t’i kaluar më pas në duart e biznesmenëve të mëdhenj dhe sidomos të bosëve të lojërave të fatit.

Emri i njohur i botës së krimit, Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, sipas Lalës, ka pasur një rol qendror në këtë aferë. “Në Durrës ishte ndërtuar një lloj ‘shteti’ i Rrumit, ku institucionet shtetërore nuk ekzistonin realisht.

Zonat më të prekura nga kjo skemë përfshijnë Shetajn, Lalëzin apo Kepin e Rodonit, të gjitha zona strategjike dhe me potencial të lartë turistik.

Lala e mbylli duke thënë se hetimet janë ende në fazë fillestare dhe se kjo që është zbuluar deri tani është “vetëm skena e parë” e një afere shumë më të madhe, ku përfshihen figura të rëndësishme të administratës shtetërore dhe sipërmarrës të fuqishëm.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×