Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë këtë muaj ndeshjen vendimtare me Serbinë, e vlefshme për Grupin K kualifikues për Botërorib 2026. Pas publikimit të listës me 25 lojtarë të thirrur nga tekniku Sylvinho, ku vihet re risia e grumbullimit për herë të parë të Klinsman Cakes dhe mungesa e Ernest Muçit, ka qenë vetë braziliani që ditën e sotme ka mbajtur një konferencë për shtyp, për të dhënë shpjegime pikërish për lojtarët e thirrur si dhe se çfarë presim nga dy sfidat e radhës ajo ndaj Serbisë dhe miqësores ndaj Jordanisë.
“Pikë së pari, është një listë me 25 lojtarë dhe kemi një situatë pak më ndryshe, e dini që Ismajli pësoi një dëmtim katër ditë më parë, nuk luan në fundjavë, nuk udhëton për ndeshjen ndaj Lacios. Ne presim stafin mjekësor të klubit, të bien dakord me doktorin Stesina, Është i dëmtuar, të shohim në fundjavë situatën për të kuptuar sa më qartësisht. Nuk ka çfarë të fshihet këtu.
“Besoj absolutisht te lojtarët tonë. Nuk është momenti i eksperimenteve. Është një moment shumë i rëndësishëm i kualifikimit, ne njohim shumë mirë lojtarët. Padyshim që për dëmtim kemi Klisman Caken që hyn në grup. Sepse është momenti i lojtarëve me eksperiencë, jo për ata me 20-21-22 vjet. Besoj shumë te të gjithë, jam absolutisht i kënaqur nga kjo listë lojtarësh të grumbulluar”.
“Është një ndeshje shumë e vështirë për të dy skuadrat, e rëndësishme. Ne shkojmë atje në garë, në gjendje për t’u kualifikuar, ata janë të fortë, me shumë eksperiencë. Siç e themi gjithmonë, futbolli luhet 90 minuta, nuk fitohet në 10-15-25. Duhet të bëjmë një ndeshje të plotë 90 minuta, është ndeshje e rëndësishme e jemi të ndërgjegshëm çfarë duhet të bëjmë. Unë kam shumë besim te ky grup. Lojtarët kur janë në këtë nivel besimi dhe një grup që më kënaq, që mund të shkojë kudo e bëjë ndeshje të shumë të bukur, e kemi bërë në Pragë, Varshavë, kudo. Jemi të përqendruar 100% në këtë ndeshje, e përsërit që janë 90 minuta shumë të rëndësishme për ne, për të dy skuadrat”, tha ndër të tjera trajneri.
A vendos kjo ndeshje nëse shkojmë në Botëror dhe çfarë do i thonit lojtarëve?
Është një ndeshje shumë e rëndësishme, për të mbetur gjallë në objektivin për t’u kualifikuar në Botëror. Nuk është definitive sepse janë edhe dy të tjera përveçse me Serbinë. Duhet të kalojmë këtë ndeshje, e vështirë sigurisht. Sipas meje është një ndeshje shumë e rëndësishme, duhet të përgatitemi për fitoren si në çdo ndeshje. Nuk është e fundit. Nëse çdo gjë shkon mirë është edhe “play-off”. Objektivi në këtë moment është të përfundojmë në vendin e dytë, Anglia është shumë e fortë. Tani duhet të përqëndrohemi 100% te Serbia. Është pengesë e vështirë, por që do të japim maksimumin.
Çfarë duhet të bëjnë më shumë Seferi, Gripshi dhe Mehmeti për t’u përfshirë në skuadër?
Fillimisht kemi ndeshje të dytë dhe mund të kemi ndryshime. Unë zgjedh për të mos shkuar me 28 lojtarë në Serbi. Preferoj me aq lojtarë të punoj, me 25. Me lojtarë në tribunë është e shëmtuar. Gripshin e kam parë prej 6 muajsh dhe më pëlqen. Mehmetin e kemi vizituar, por ne kemi shumë lojtarë në krahun e majtë. Ne e kemi marrë Mehmetin këtu, ka luajtur në të djathtë. Me ekipin e tij luan në krahun e majtë, ne e kemi pozicionuar në krahun e djathtë. Bëhen shumë lojtarë. Nuk mund të dërgoj 27-28 lojtarë në Serbi, është zgjedhja ime. Seferi ka bërë mirë, por jam shumë i kënaqur me të gjithë. Çokaj më ka pëlqyer shumë, por në thelb kjo është lista.
BalkanWeb