Pas sesionit të parë të lirë, ku më i shpejti ish te Fernando Alonso, e premtja në Singapor u mbyll nën shenjën e Oskar Piastrit. Piloti i MekLarenit regjistroi kohën më të shpejtë në sesionin e dytë të provave të lira në “Marina Bay”, duke e ndalur kronometrin në 1:30.714.
Australiani la pas Isak Haxharin (+0.132) dhe Maks Vershtapen (+0.143), në një seancë të trazuar me dy ndërprerje dhe disa incidente. Një nga momentet kryesore ishte kontakti në “pit lanë” mes Sharl Lëklerkut dhe Lando Norrisit. Ferrari i monegaskut u lirua në mënyrë të pasigurt pikërisht kur britaniku po kalonte në zonën e shpejtë, duke detyruar pilotin e MekLarenit të shmangë makinën dhe të godasë muret, çka i dëmtoi krahun e përparmë të makinës.
Skuderia Ferrari përfundoi nën hetim dhe Lëklerk rrezikon penalizim, ndërsa e mbylli në vendin e nëntë sesionin e dytë, një pozicion përpara Luis Hamiltonit. Një incident i rrallë, aq më tepër që ndodh gjatë provave të lira. Me shumë gjasa shkak është bërë një komunikim i gabuar nga boksi i Ferrarit. Norris komunikoi menjëherë me inxhinierin e tij, edhe pse nuk u shfaq veçanërisht i zemëruar për atë që ndodhi: “Më goditi plotësisht” u shpreh ai. Ndërkohë, Lëklerk u kap nga kamerat duke tundur kokën, i zhgënjyer.
Seanca u ndërpre gjithashtu dy herë me flamur të kuq: fillimisht për shkak të një incidenti të Xhorxh Rasëllit, i cili humbi pjesën e përparme të makinës dhe më pas për aksidentin e Liam Lousonit në kthesën e parafundit. Top-10 FP2 u plotësua nga Alonso (4), Norris (5), Stroll (6), Okon (7), Sainz (8), Lëklerk (9) dhe Hamilton (10). Mercedes pati vështirësi të dukshme, teksa Andrea Kimi Antoneli u rendit i 18-ti, ndërsa Rasëll përfundoi i fundit, pas incidentit që pati.
BalkanWeb