A do të jetë Florjan Binaj rasti “Zelensky” në Shqipëri? Kulluri: Mund të jetë profesionist dhe djalë i mirë, por…

Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në lidhje me kandidimin e Florjan Binajt për Bashkinë e Tiranës, i mbështetur nga Partia Demokratike dhe forca të tjera opozitare.

Kandidimi i Binajt është krahasuar me rastin e Presidentit ukrainas Volodymyyr Zelensky, i cili po ashtu vinte nga bota e komedisë, por në fund arriti të ketë një triumf të madh politik.

Sipas Kullurit, kandidimi i Binajt është shenjë e një krize të thellë brenda vetë PD-së, e cila, sipas tij, nuk po funksionon më si një parti politike në kuptimin klasik të fjalës.

“PD nuk e vret mendjen fare për zgjedhjet e 9 nëntorit. Është në një pikiatë elektorale të rregullt. Nuk është më parti që bashkon njerëz me projekte apo interesa historike të përbashkëta. Njerëzit qëndrojnë aty vetëm nga inercia,” tha Kulluri.

Ai ironizoi edhe përqafimin e një kandidature nga bota e artit, duke nënvizuar mungesën e përgatitjes administrative të Binajt për të menaxhuar një bashki si Tirana me një buxhet prej 250 milionë euro në vit.

“Kur Berisha tha kemi zgjedhur një artist të madh, mendova se ishte ngritur e madhja Vaçe Zela, Inva Mula apo Ali Oseku. Me gjithë respektin për Florjanin, artistët e mëdhenj kanë një kontribut të madh. Këtu po flasim për administrimin e një qyteti, jo për shfaqje kabareje”, tha ai.

Kulluri vuri theksin tek mungesa e përgjegjshmërisë së opozitës pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, duke u shprehur se problemi nuk qëndron te emri i kandidatit, por në mungesën e reflektimit dhe strategjisë.

“PD humbi me 500 mijë vota dhe askush nuk mban përgjegjësi. Në vend që të përballen me këtë realitet, luajnë lojën e ‘kuj t’i ngecë derri’. Kjo nuk është më as politikë, as poker, por thjesht shpërndarje faji.”

Në fund, ai tha se gara për Tiranën është më politike se çdo tjetër, por opozita nuk po e trajton si të tillë.

“Kur nga njëra anë kemi një kandidate si Manastirliu që pranon se nuk u pyet fare për kandidimin, dhe nga ana tjetër kemi një kandidaturë që vjen pa histori administrative, kjo tregon për mungesë serioziteti. Florjan Binaj mund të jetë një qytetar i angazhuar, por kjo nuk mjafton për të drejtuar Tiranën.”

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×