Qarku i Kukësit është përfshirë ditën e sotme nga reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, të shoqëruara me erëra. Në zonat malore mbi 1000 metra janë regjistruar edhe reshje bore me intensitet të ulët.
Sipas burimeve, në disa segmente rrugore ka pasur rënie gurësh dhe inertesh, por ndërhyrja e kompanive kontraktore ka bërë që pastrimi të kryhet në kohë dhe të gjitha akset nacionale të jenë të qarkullueshme normalisht. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportohen problematika emergjente.
Furnizimi me energji elektrike është i garantuar në gjithë qarkun, me përjashtim të disa fshatrave të shpërndarë në njësitë administrative të Kukësit,Hasit e Tropojës në Topojan, Golaj dhe Bytyç, ku vazhdohet puna për rikthimin e energjisë.
Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e Kukësit dhe zonat përreth vijon sipas orareve të përcaktuara, raporton Drejtoria e Ujësjellësit.
Autoritetet vendore bëjnë apel për kujdes gjatë qarkullimit, sidomos në rrugët malore ku rreziku i rënies së gurëve mbetet i pranishëm për shkak të reshjeve të ditëve të fundit.
BalkanWeb