Universiteti ‘Luarasi’ mirëpriti sot qindra studentë, duke shënuar nisjen zyrtare të vitit të ri akademik. Ky moment i rëndësishëm vjen me entuziazëm të madh, ndërsa studentët e rinj zgjedhin këtë institucion për të vazhduar rrugëtimin e tyre akademik, të bindur në cilësinë e mësimdhënies dhe mundësitë që ofron Universiteti ‘Luarasi’.
Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Ethem Ruka, i cili udhëhoqi ceremoninë e hapjes, e cilësoi këtë ditë si një ogur të mirë për të ardhmen e ndritur të studentëve të rinj. Ai nënvizoi rëndësinë e këtij momenti si një hap vendimtar drejt suksesit të tyre profesional dhe personal.
“Sot, merr jetë ëndrra juaj për profesionin e ardhshëm. Unë e di që keni kaluar një verë të trazuar. Ju keni pasur provimet e maturës, që është një shqetësim jo i vogël. Keni pasur shumë dilema për të zgjedhur universitetin. Zgjedhja është e vështirë, një ndër më të vështirat. Kur kam pasur rastin të vizitoj mjaft shkolla të Shqipërisë, dhe kam takuar një pjesë tuajën, ju kam pyetur se për çfarë do të studionit. Kuptova se kishit dilema. Kjo është normale, pasi janë 40 universitet. Sot e keni vendosur, keni zgjedhur universitetin Luarasi, nj ndër universitetet më dinjitoze. I themeluar që në 2003, që është universiteti i dytë i hapur jopublik. Është një universitet që është rritur, me fakultetet, me programet e studimit dhe nga viti në vit me student. Sot nis një rrugëtim i ri për ju, që nuk është i lehtë, por i bukur. Është rrugëtimi juaj drejt profesionit që do të zgjatë 3-5 vite. Nëse ju do të ktheheshit pas në kohë, ju latë në gjimnaz 3 vite. Vitet ecin jashtëzakonisht shpejt. Ju ftoj që ta mendoni veten pas 5 vitesh, që do të identifikoheni me profesionin tuaj. Dikush do të jetë ekonomist, dikush jurist, apo farmacist e stomatolog. Pas 5 vitesh do të identifikoheni me profesionin tuaj dhe këto vite do të ecin shpejt. Këto janë investim i jetës suaj për 50 vitet e ardhshme. Fillimi i vitit të ri akademik për studentët e vitit të parë nuk është i lehtë. Dikush ka ardhur nga Tropoja, dikush nga Saranda. Këtu në këtë sallë është gjithë Shqipëria dhe është bukur që të njihesh me njerëz të rinj. Ju që jeni në këtë sallë do të formoni një miqësi. S’ka periudhë më të bukur se jeta studentore, e cila fiksohet në trurin e njeriut. Si e keni ndarë mendjen, të merrni një diplomë? Apo të bëheni më të mirët e të mirëve. Mendoj se gjithçka varet nga pasioni, nga shumë faktor, sidomos nga ju! Bëheni këtë gjë për të respektuar veten, prindërit tuaj të nderuar, të cilët ju mbajnë me sakrifica.
Mos e harroni djersën e tyre. Meqë jemi live në Neës24, i përshëndes dhe prindërit tuaj. Ishalla na shohin. Ju sigurojmë se dimë t’ju marrin maturant, dhe t’ju nxjerrim profesionist. S’ka petale lulesh apo tapet bari, por është rruga e vështirë. Ju të gjithë mund të dilni të shkëlqyer me 10-ta. E mendoni veten kryetar të Gjykatës Kushtetuese, apo të Gjykatës së Lartë, apo ata që mbarojnë specialiste të tjera. IT, apo degë të tjera. Shkolla ka rregulla dhe ato duhen respektuar. Është me rëndësi kjo. Shkolla nuk është një çështje qejfi, që vjen në Tiranë dhe je larg familjes. Mos e bëni këtë gabim. Nëse do të shihni këto lokalet, ka shumë studentë që ulen dhe pinë kafe dhe lënë orët e mësimit. Por shkolla ka rregulla dhe nëse nuk zbatoni rregulloren e këtij universiteti, do të penalizoheni dhe s’do të futeni në provim. Këtu keni një staf të jashtëzakonshëm, që do të jenë profesorët dhe prindërit tuaj. I kam porositur që profesorët t’jua duan si fëmijët e vetë. Një herë lexova një gjë të shkurtër që më bëri përshtypje. Kur u fut në sallën me student, pa një vajzë shumë të bukur dhe i tha; dil përjashta. Ajo u habit dhe tha; ‘pse’. Kur vajza doli jashtë, profesori u tha; vepruar gabim. Unë e nxora atë vajzë jashtë, që të shihni reagimin tuaj. Duhet të keni mendimin tuaj të lirë. Në krahun tim janë të gjithë drejtuesit e universitetit. Po e nis nga Fabiola, presidentja e Universitetit. Që ka studiuar në Britani, një studente e shkëlqyer. Faleminderit që na keni nderuar sot me pjesëmarrjen. Ani Dasho, një aset i Universiteti Luarasi, nga profesioni IT, e cila mban gjallë universitetin me punën e saj. Për të vijuar me zotin Petrit Bare, kardiolog me një karrierë të shkëlqyer. Vazhdojmë me Admir Belishtin, dekan i Universitetit të Drejtësisë. Ka shpenzuar gati 20-30 vite të jetës së tij në sferën e drejtësisë dhe të gjykatës. Vijojmë me Genti Hoxhaj, një ndër ekspertët e Statistikës. Për të vijuar me Sokol Papariston, profesor, i cili gjithë jetën ka pasur një thikë në dorë, ka shpëtuar shumë njerëz. Ka qenë kirurg. Në fund, jo nga rëndësia, mikun tim Sherif Bundon, që është rritur dhe ka punuar gjatë në fakultetin Ekonomik. Ne jemi ata që drejtojnë universitetin Luarasi. Më tej shihni pedagogët tanë të nderuar dhe stafin ndihmës, që do t’i keni në krah në çdo moment. Ndoshta nuk më njihni, por jam i bindur që keni mësuar me tekstet e mi. Jam autor i teksteve të Ditur Natyre. Jam prej gati 8-9 vitesh. E kemi rritur këtë Universitet me shumë kujdes. Dera ime është e hapur. Mos hezitoni që të vini në zyrën time. Ju uroj shumë suksese. Uroj që të bëheni më të mirën e më të mirëve. Për familjen tuaj, për prindërit, motrat dhe vëllezërit dhe shoqërinë shqiptare. Keni bërë mirë që keni zgjedhur Luarasin. Është diplomë ku në çdo derë që troket, hapet shumë shpejt! Paçi fat!”, tha Ruka.
Pas ceremonisë, studentët e rinj do të kenë mundësinë të njihen me pedagogët që do t’i udhëheqin gjatë studimeve të tyre. Ata do të njihen me klasat moderne dhe infrastrukturën që do t’i mbështesë në realizimin e objektivave të tyre akademike. Universiteti Luarasi ofron një mjedis të kompletuar dhe bashkëkohor, i cili plotëson të gjitha nevojat e një institucioni arsimor të nivelit të lartë.
Ky fillim i ri akademik është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë për këta studentë të rinj, të cilët do të përfitojnë nga mundësitë e jashtëzakonshme që ofron Universiteti ‘Luarasi’. Me një përkushtim të madh ndaj dijes dhe zhvillimit të të rinjve, ky universitet mbetet një lider në ofrimin e arsimimit cilësor dhe inovativ në Shqipëri.
BalkanWeb