Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit.
Ai ka shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e trishtë, ndërsa e ka cilësuar si një gjyqtar me integritet të lartë që i shërbeu ligjit me ndershmëri dhe përkushtim.
Gjoni shtoi më tej se kjo ngjarje është një sirenë alarmi dhe se me këtë ngjarje e ndodhur në institucionin e drejtësisë shteti ka rënë.
Sipas tij është koha që shteti të marrë masa konkrete për sigurinë e gjyqtarëve , sepse çdo sulm ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe ligjit.
Postimi i plotë i Gjin Gjonit:
Dora e krimit u ngrit mbi togën e zezë, duke i marrë jetën Gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshem Tiranë, Astrit Kalaja, të cilin kam pasur nderin ta njoh personalisht gjatë punës sime në sistemin e drejtësisë.
Astrit Kalaja ishte një familjar e qytetar model si dhe një gjyqtar me integritet të lartë, që i shërbeu ligjit me ndershmëri e përkushtim.
Ky akt i rëndë nuk është vetëm një tragjedi personale per familjen Kalaja, por pasqyrë e thellë e dështimit të institucioneve në mbrojtjen e punonjësve të drejtësisë. Si ish-koleg dhe ligjvenes në Kuvendin e Shqipërise e dënoj me forcë këtë akt barbar dhe kërkoj që autori të marrin ndëshkimin maksimal, si shembull për të gjithë.
Kjo ngjarje është një sirenë alarmi për situatën e sigurisë në sallat e gjyqeve, ndaj njerëzve të drejtësisë në veçanti por edhe për nivelin alarmantë të situatës së krimit në Shqipëri. Me këtë ngjarje të ndodhur në institucionin e drejtësisë shteti ka rënë.
Është koha që qeveria të marrë masa konkrete për sigurinë e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të drejtësisë, sepse çdo sulm ndaj tyre është një sulm ndaj shtetit dhe ligjit.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen.
U prefsh në paqe Astrit Kalaja
BalkanWeb