Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar zhvillimet rreth zgjedhjeve të pjesshme vendore të planifikuara për më 9 nëntor në 6 bashki të vendit, mes të cilave edhe ajo e Tiranës. Çështja ka marrë vëmendje të veçantë pas ankimimit të kryebashkiakut Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, i cili ka kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij, duke ngritur dyshime për një ngërç ligjor.
Celibashi sqaroi se KQZ nuk ka kompetenca për të gjykuar ligjshmërinë e dekretit të Presidentit, i cili ka caktuar datën e zgjedhjeve. “Nga dalja e dekretit të Presidentit ka një procedurë deri te zbatimi. Nuk ka një urdhërim ‘per se’. Qoftë Kushtetuta apo Kodi Zgjedhor nuk ka përcaktuar ndonjë kompetencë tjetër për KQZ përveç asaj të përgatitjes së procesit zgjedhor,” theksoi ai.
Kreu i KQZ theksoi se institucioni që ai drejton nuk mund të ndalë punën për organizimin e zgjedhjeve pa një vendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese. “Nuk ka një detyrim që ne si KQZ duhet të presim në raste të caktuara. Mbi çfarë baze duhet të mos vijonim punën?” u shpreh ai, duke shtuar se “nuk është detyrë e KQZ të vlerësojë nëse ka gabuar apo jo Presidenti me dekretimin.”
Sa i takon çështjes konkrete të Tiranës, Celibashi tha se KQZ nuk mund të konstatojë nëse kryetari i bashkisë është shkarkuar apo jo. “Ne kemi dekretin e Presidentit që thotë se në 6 bashki të vendit do të mbahen zgjedhje për kryetarë bashkie. KQZ nuk ka tagrin të gjykojë ligjshmërinë e procesit që ka sjellë dekretin. Përndryshe do konkurronim me Gjykatën Kushtetuese,” theksoi ai.
Në përmbyllje, Celibashi nënvizoi se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet në mënyrë të plotë nga KQZ. “Nëse ka një vendim për pezullimin apo shpalljen e zgjedhjeve si të pavlefshme, atëherë ne angazhohemi. Nëse vendoset pezullimi, nuk do zhvillohen. Nëse shpallen të pavlefshme, do ribëhen,” përfundoi ai.
BalkanWeb