Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji shprehet se institucionet ligjzbatuese kanë dështuar të garantojnë sigurinë e gjyqtarëve. Në një reagim, Salianji i referohet shkresës së KLGJ e cila u bë publike sot lidhur me marrjen e masave nga Policia e Shtetit pranë gjykatave. Një ditë më parë vendi u trondit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit.
Ai kërkon marrjen nën hetim të ish-ministrave të Brendshëm, për shpërdorim detyre, ndërsa thekson se ministrja aktuale e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu duhet të japë dorëheqje.
“Ky dështim nuk është rastësor është pasojë e një qeverisjeje që prej vitesh ka shkatërruar themelet e shtetit të së drejtës. Ish-ministrat e Brendshëm duhet të merren menjëherë nën hetim për shpërdorim detyre, ndërsa ministrja aktuale e Brendshme duhet të japë dorëheqjen pa vonesë. Kjo është përgjegjësi ligjore dhe morale, në një vend ku siguria e gjyqtarëve po cenohet nga paaftësia dhe mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin”, shprehet Salianji.
Reagimi
Pas publikimit të shkresave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është e qartë se zinxhiri institucional që duhej të garantonte sigurinë e trupës gjyqësore ka dështuar. Ky dështim nuk është rastësor është pasojë e një qeverisjeje që prej vitesh ka shkatërruar themelet e shtetit të së drejtës. Ish-ministrat e Brendshëm duhet të merren menjëherë nën hetim për shpërdorim detyre, ndërsa ministrja aktuale e Brendshme duhet të japë dorëheqjen pa vonesë.
Kjo është përgjegjësi ligjore dhe morale, në një vend ku siguria e gjyqtarëve po cenohet nga paaftësia dhe mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin. Qeveria ka lënë me vetëdije të pambrojtur gjyqtarët dhe prokurorët, duke u fshehur pas justifikimeve të turpshme se “nuk ka përgjegjësi”. Në të vërtetë, ajo është përgjegjësja kryesore për krijimin e klimës së frikës dhe konfliktit social, lejimin e qarkullimit lirisht të armëve dhe personave të rrezikshëm, zhveshjen e policisë nga autoriteti dhe shndërrimin e saj në një instrument partie, dorëzimin e territorit në duart e bandave dhe strukturave kriminale. Ky është momenti për përgjegjësi politike, hetim penal dhe veprim institucional jo për heshtje dhe justifikime.
Kur gjyqtari vritet në zyrë, bie besimi te shteti.
BalkanWeb