Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me tone të ashpra pas ngjarjes tronditëse të ndodhur dy ditë më parë në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra gjatë ushtrimit të detyrës.
I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Manjani e cilësoi ngjarjen si një pasqyrë të një degradimi të thellë shoqëror dhe institucional, duke e lidhur atë me atë që e quajti si dështim i reformës në drejtësi për të rikthyer besimin tek institucionet gjyqësore.
“Është një degjenerim masiv i mentalitetit shqiptar lidhur me vrasjen apo shprehjen e urrejtjes,” u shpreh Manjani. “Motivi kryesor i vrasjes që ka shqiptari janë motivet e dobëta. Çfarë do të thotë ‘më erdhi në majë të hundës’? Dil e shfry hundët, budalla! Kjo është një qasje sa idiote, aq edhe e rëndë për shtetin.”
Duke komentuar për gjendjen e sistemit gjyqësor, Manjani deklaroi se situata është përkeqësuar pas nisjes së reformës në drejtësi, një reformë që, sipas tij, nuk arriti të përmbushë objektivin kryesor: rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia.
“Unë e kam bindje që sistemi i drejtësisë ka qenë problematik, por tani është më problematik se sa ka qenë. Kur ne i mbushëm mendjen vetes dhe shqiptarëve që duhet të ndërtojmë një sistem që besohet, ky ishte problemi kryesor i reformës. Sot jo vetëm që nuk e besojnë gjykatën, por e urrejnë. Shikoni rrjetet sociale si reagohet,” shtoi ai.
Manjani e konsideroi situatën si alarmante dhe tregues të një shkalle të re të degradimit institucional dhe shoqëror.
“Këtu ka shumë faje, por qëllimi ishte të përmirësojmë besimin. Sot njerëzit jo vetëm që nuk e besojnë, por e urrejnë. Kemi shkuar në një shkallë degraduese. Urrejtja nuk dihet ku shkon.”
BalkanWeb