Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka bërë deklarata të forta në lidhje me vrasjen tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi dy ditë më parë në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit në Tiranë. I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Manjani ka analizuar aspektet institucionale, shoqërore dhe sistemike që kanë çuar drejt kësaj ngjarjeje të rëndë.
Manjani theksoi se përgjegjësia për ruajtjen e sigurisë në gjykata është e qartë: ajo bie mbi Policinë e Shtetit. Ai shtoi se ndonëse autori u kap në flagrancë, ngjarja ngrit pyetje serioze për mënyrën sesi menaxhohet siguria në sallat e gjyqit.
“Policia e ka për detyrë të ruajë godinat e gjykatave. U kapën në flagrancë dhe është normale. Gjuha e dhunës është e përhapur në salla gjyqesh dhe duhet të vlerësosh çfarë është serioze apo jo, por ruajtja është detyrë,” u shpreh Manjani.
Sipas tij, vrasësi kishte qëllime edhe më të rënda se sa ajo që ndodhi.
“Atij nuk i kanë dalë plumbat, se do bënte masakër aty. Do gjuante edhe sekretaren. Ka shqiptarë plot si ai,” tha Manjani me tone të drejtpërdrejta, duke paralajmëruar se fenomene të tilla mund të përsëriten nëse nuk merren masa reale.
Manjani hodhi edhe një vështrim kritik mbi mënyrën si funksionon sot sistemi gjyqësor në raport me qytetarët, duke nënvizuar një hendek të madh në komunikim dhe kuptueshmëri.
“Shoqëritë moderne e kanalizojnë mllefin në institucione. Për këtë ekzistojnë gjykatat. Por njerëzit që shërbejnë në to duhet të jenë të qartë, të thjeshtë, të shpejtë. Ka raste që as unë, me gjithë eksperiencën time, nuk e kuptoj çfarë thotë një koleg gjyqtar, nga gjuha e drunjtë juridike që përdor. Imagjino një qytetar i zakonshëm,” theksoi ai.
BalkanWeb